E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ora me rërë

Skënder Minxhozi 

Parimi i saj është i thjeshtë. Sapo e përmbys, një fill i hollë rëre nis të tregojë ...se koha po kalon, se sekondat ikin dhe se minutat e orët nuk kthehen më. Kryeprokurorja Ina Rama mund të mendojë se nuk ka nevojë për këtë metaforë të thjeshtë dhe as për këtë objekt arkaik në tryezën e punës, për të kuptuar se cili është roli i saj aktual në punët shqiptare, por ja që është kështu dhe jo ndryshe. Kur dhjetë muaj më parë ajo mori në dorë organin qendror të akuzës, shumëkush kujtoi se ajo po ulej në një poltron që i ka djegur rregullisht të gjithë ata që janë ulur aty para saj. Në ditën e parë të punës ajo gjeti në skrivaninë e saj dosjen e rrugës Durrës-Kukës. Nuk kishte shpërthyer as Gërdeci dhe as histori të tjera të sikletshme për zyrtarët tanë. Nuk është e vështirë të shihet sot, pas pothuaj një viti, se nga kjo dosje që kushtoi asokohe imunitetin e një anëtari të qeverisë, nuk ka lëvizur nga vendi asnjë fletë, duke e çuar këtë aferë prej dhjetëra miliona eurosh drejt pamundësisë së hetimit dhe gjykimit, për shkak të tejkalimit të afateve ligjore.
Tani që mediat kanë hapur cep më cep një tjetër aferë me një sekser nga ata me emër sllav dhe me rrënjë e njohje në të gjitha vendet dhe kontinentet, ne që lexojmë akuzat therëse të ngritura ndaj zyrtarëve më të lartë të shtetit, na shkojnë edhe një herë instinktivisht sytë drejt zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Jo vetëm sepse kjo është normale dhe e natyrshme, por edhe sepse kjo është e vetmja gjë që mund të bëjmë dhe shpresojmë në këtë moment, kur ambienti i ngarkuar politik me tonet e fushatës po mbarset edhe më tej nga fakte dhe skandale që shkojnë shumë thellë dhe shumë lart në hierarkinë e shtetit shqiptar.
Afera e Damir Fazlliç është një histori jo e thjeshtë dhe aq më pak e rëndomtë. Nëse shihet kronologjia e saj, ashtu siç ajo është zbuluar deri tani nga shkrimet e dy ditëve të fundit, do të vërehet se implikimet e saj nisin me fonde fushatash elektorale, vazhdojnë me shitblerje biznesesh fantazmë dhe mbarojnë me aludime për kontrabandë armësh. Një miks eksploziv elementesh, të cilët s’munden kurrsesi ta lenë të qetë dhe indiferent organin e akuzës në këtë vend. Përkundër toneve qetësuese të kryeministrit dhe batutave të tij (sa herë që është në siklet, Berisha reagon me profil të ulur), Prokuroria nuk u shpreh fare lidhur me faktet që kanë dalë së fundi në shtyp. Në çdo vend civil do të kishte ndodhur e kundërta, sepse është shumë e vështirë që të qëndrosh institucionalisht pasiv, kur sheh sesa rëndë akuzohen krerët e qeverisë dhe të shtetit, sesa hapur dalin në pah lidhje të dyshimta mafioze që implikojnë kokën e ekzekutivit dhe vetë klasën politike.
Ina Ramës po fillojnë t’i bien me shpejtësi alibitë e mungesës së eksperiencës, të kohës së shkurtër në detyrë dhe të respektimit të afateve ligjore të hetimit, me të cilat ka operuar deri më sot. Ajo dhe prokurorët që ka pas, ndodhen tashmë përballë një detyre natyrisht të vështirë, por të pashmangshme. Duhet hedhur dritë urgjentisht mbi rrugën Durrës-Kukës, Gërdecin, Fazlliçin dhe ortakët e tij në Tiranë, nëse nuk duam që gjithçka të konsumohet në formën e një lufte vrastare akuzash në media dhe në Parlament, ku e vetmja gjë që rrezikon të mos dalë e qartë dhe të mos vendoset në vend, është e vërteta dhe drejtësia.
Nëse “gështenjat” e vdekjes së Kosta Trebickës Prokuroria mundi t’i nxjerrë me duart e amerikanëve, kjo s’mund të ndodhë më me pjesën tjetër të listës së aferave që kërkojnë zbardhje dhe zgjidhje. Që të mos kemi një prokurore që “fle mbi dosjet”, duhet të shohim e lexojmë jo vetëm shkrime gazetash. Gazetarët s’mund të shkojnë më larg se kaq. Tashmë topi është në fushën e atyre që paguhen për të vënë gishtin në plagë. Fjalën e ka Ina Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›