PDK: Poli i Lirisë, demagogji e tre personave pa lidhje
Partia Demokristiane e kryesuar nga Anton Gurakuqi, ka denoncuar përmes një deklarate për shtyp krijimin e Polit të Lirisë nga tre parti të djathta. Sikurse e kishin paralajmëruar edhe më parë krizën e identitetit dhe absurditetit të krijuar me Polin e Të liruarve, kanë parë së fundi kaosin në të cilën ndodhen protagonistët e këtij pseudo-koalicioni.
Ata janë 3 persona të cilët nuk kanë asnjë lidhje me njëri- tjetrin kanë bërë deri më tani demagogjinë e radhës duke pretenduar se përbëjnë një të djathtë alternative dhe të vërtetë, thuhet në këtë deklaratë, ku veçohet se këta njerëz që për vite me radhë janë testuar në politikë duke marrë nga pas damkën e dështakëve, kurrsesi nuk mund të pretendojnë për një politikë ndryshe. Në këtë deklaratë, përmendet se ish-deputeti i PDK-së, Nard Ndoka nuk përfaqëson asnjë votë demokristiane dhe se tentativa e tij për të luajtur me emrin e tyre nën Polin e Lirisë është një mashtrim i madh e i dënueshëm. PDK dhe të gjithë demokristianët e vërtetë shqiptarë, do të jenë në krah të Partisë Demokratike për të maksimalizuar fitoren e koalicionit të qendrës së djathtë, në 28 qershor. Gjithashtu, në këtë deklaratë është përmendur edhe kriza që, ka mbërthyer të ashtuquajturin Poli i të liruarve, reflekton protagonizmin e kësaj demagogjie fund e krye, që po orvatet të gënjejë qytetarët, dhe që dita ditës po tregon fytyrën e saj të vërtetë. Në fund të deklaratës, theksohet se i mëshojmë edhe njëherë idesë së një kodi Moral dhe Etik për të filtruar emrat e kandidatëve për deputet dhe për të mos lejuar që individë, të lidhur me strukturat e ish-sigurimit të shtetit, individë pa integritet moral dhe politikë të, depërtojnë në Kuvendin e ri, të dal nga zgjedhjet e 28 Qershorit 2009.