E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish- të pastrehët në Korçë protestojnë, kërkojnë uljen e këstit të kredisë

Enti kombëtar u dërgon lajmërim në banesa, për këstet e pashlyera
Kanë vendosur në këtë mënyrë ti japin fund durimit, rreth 300 banorë që jetojnë prej afro një viti në pallatet e të pastrehëve në qytetin juglindor. Dy pallatet e reja me nga 40 apartamente secili, ndodhen përgjatë unazës së Korçës, teksa janë inaguruar para një viti nga vetë kryeministri Berisha. Shumica e banorëve që kishin përfituar statusin e të pastrehit, këtë mundësi të banimit e kanë përjetuar fillimisht si një mrekulli që lidhej direkt me qeverisjen e cila po kujdeset për kontigjentin më problematik të juglindjes e që në rastin konkret janë të pastrehët. Po gëzimi i tyre mori fund sa hap e mbyll sytë, kur 80 familjet në fjalë u përballën me vlerën që duhet të paguanin për shlyerjen e banesës së tyre. Një vleftë shumë e lartë e cila shpesh kalonte vlerën reale të ndërtimit të banesës së tyre. Edhe pse do ta shlyejnë me këste, shuma që duhet të paguajnë çdo muaj është tepër e lartë. Kjo është arsyeja pse shumë prej banorëve kanë muaj të tërë që nuk kanë shlyer asnjë këst. Madje sipas pohimeve të tyre ka shumë familje që prej një viti nuk kanë derdhur asgjë pranë Entit të Benesave në Korçë ku paguajnë detyrimin që nisi nga 15 mijë lekë deri në 10 mijë lekë. Jemi pa punë, vetëm me një asistencë. Nuk kemi me se të hamë bukë e jo më të paguajmë këstin, është shprehur për gazetën Lytfie Dano, një banore e pallateve në fjalë. Situata duke e rëndë, ndërsa 300 banorët ndihen të kërcënuar, pasi do të mbeten sërish pa çati, kjo pasi mundësia për të paguar çdo muaj këstin e lartë të vendosur nga shteti nuk ekziston. Gati pjesa më e madhe e këtyre familjeve vjen nga një shtresë e ulët me probleme të theksuara sociale, ndërsa papunësia duket se mbretëron tek të gjitha këto familje.
Paralajmërimi për borxhet
Ndërkaq, pranë Entit të Banesave në Korçë ku ish- të pastrehët duhet të paguajnë detyrimin mujor, mësohet se ka shumë familje që për më tepër se një vit nuk kanë paguar asnjë detyrim. Kjo zyrë ka nisur dërgimin e lajmërimeve paralajmëruese të shlyerjes në kohë të borxhit, ose në të kundërt do t'iu duhet të kthehen sërish në gjendjen e tyre të mëparshme. "Nuk e kuptoj se ku është lehtësia që na ka bërë shteti, megjithëse ne kishim statusin e të pastrehëve. Ku është lehtësira ne po e blejmë banesën njëlloj sikur të mos e kishim këtë status", thotë i indinjuar, Petraq Lluka. Madje me mjaft revoltë shprehen edhe kryefamiljarët, të cilët kanë në familjet e tyre invalidë. Edhe pse atyre duhej t'u bëhej lehtësira në bazë të ligjeve në fuqi, askush nuk ka menduar për ta edhe pse ata kanë trokitur dhe vazhdojnë të trokasin në dyert e shtetit. Familjet e invalidëve akuzojnë shtetin dhe instancat përkatëse se nuk zhvillojnë asnjë lloj politike sociale për shtresat në nevojë, duke u rënduar së tepërmi jetesën e tyre. Ditën e djeshme, shumë prej tyre kanë protestuar para kamerave dhe mediave për të kërkuar zgjidhje të situatës së tyre të rënduar. Së shpejti ata do të dalin me një peticion për të kërkuar lehtësira në shlyerjen e banesës së tyre e cila iu është kthyer në një ferr të vërtetë.

Last Updated on Saturday, 28 February 2009 22:38

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›