Mendimi i Hagës për pavarësinë mund të vonohet
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë parashikohet ta marrë në muajin nëntor vendimin se si do të përkufizohet shpallja e pavarësisë së Kosovës, dhe jo në maj apo qershor, siç ishte parashikuar më parë. Kështu ka shkruar në numrin e djeshëm gazeta serbe, “Politika”, duke iu referuar burimeve diplomatike në Bruksel. Sipas këtij artikulli, kjo shtyrje është e lidhur me pritjet e bashkësisë ndërkombëtare që Serbia deri atëherë t’i dorëzojë Gjykatës së Hagës, kriminelin e luftës, Ratko Mlladiç. Por zëvendësministrja e Punëve të Jashtme në Kosovë, Vlora çitaku, tha se GJND-ja nuk është e obliguar që të njoftojë palët për afatin kohor të marrjes së mendimit këshillëdhënës. “Për shkak të natyrës së çështjes, Kosova është njoftuar përmes përfaqësuesit të vet ligjor se, kjo çështje në GJND do të trajtohet me prioritet, mirëpo duhet pasur parasysh për shkak të natyrës si merren vendimet në GJND, që kjo çështje edhe mund të marrë kohë”, - tha çitaku për “Kosovapress”. Ajo shtoi se Kosova asnjëherë nuk ka marrë ndonjë informacion mbi një afat kohor se kur do të merret vendimi nga GJND-ja. “Ne nuk kemi informata që është shtyrë. Asnjëherë nuk është thënë nga autoritetet e GJND-së që vendimi do të merret në një periudhë të caktuar. Ne jemi njoftuar që çështja do të trajtohet me prioritet, mirëpo asnjëherë nuk na është dhënë ndonjë afat kohor se kur do të mund të merret vendimi”, - tha çitaku.