E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: TEC ndotin mjedisin

Tiranë -Partia Socialiste ka denoncuar sot ndotjen e mjedisit nga ana e TEC-ve që do të ndërtohen në Shqipëri. Sekretari për Çështjet Zgjedhore Besnik Baraj, tha se me ndërtimin e TEC-it të Porto Romanos, vendi ynë do të ketë ndotje masive tej normave të lejuara. “Në rajonin Tiranë-Durrës-Krujë, ku shumë shpejt do përqendrohet gjysma e popullsisë së vendit, do të ndërtohen kapacitetet më të mëdha ndotëse si TEC-e gjigante me qymyr, fabrika çimentoje, Rafineri nafte, etj. Kjo nuk është një politikë zhvillimi e qëndrueshme për rajonin e kryeqytetit, që në vijë ajrore distancat nga këto objekte ekstremisht ndotës janë 15-25 km”-theksoi Baraj gjatë një konference për shtyp.

Ai tha se Partia Socialiste vlerëson dhe mbështet çdo investim, i cili siguron një zhvillim të qëndrueshëm e përmirëson progresin ekonomik, pa kompromentuar kapacitetet ekonomike alternative, si turizmin dhe zhvillimet e tjera rajonale, si dhe cilësinë e mjedisit ku bëhet investimi.

“Qeveria Berisha nuk e merr parasysh efektin akumulues te aktivitetit të TEC-it kur nga oxhaqet e tij nuk pretendohet të emetohet më pak se 10 mg\m3 grimca pezull. Sipas ekspertëve, Shqipëria ka nevojë për një TEC me kapacitet 400 MV. Ndërkaq, në strategjinë kombëtare të energjisë ky TEC ishte parashikuar të bëhej me gaz ose naftë në Vlorë, duke qenë mjaft më miqësor me mjedisin”-tha më tej.

Në përfundim të deklaratës për shtyp, Baraj tha se koston mjedisore në Shqipëri mbetet ta paguajnë brezat sot dhe nesër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›