Gjykatat speciale s’mund të zëvendësohen me gjykatat të posaçme
Nga Arben Isaraj*
Ky relacion është i shkëputur nga konsideratat dhe nuancat politike, duke i qëndruar strikt një vlerësimi juridiko-kushtetues mbi përputhshmërinë e projektligjeve të propozuara, si dhe aq sa është e mundur harmonizimit të tyre me legjislacionin në fuqi.
Nisma ligjvënëse, forma, afatet.
Nga sa shihet, të tre nismat e kanë zanafillën e tyre si proces ligjvënës, në përputhje me pikën 1, neni 81 i Kushtetutës, si dhe neneve 68 e 69 të Rregullores së Kuvendit, në fund tetorin e vitit 2006.
Dy nisma janë nënshkruar në emër të grupeve nga kryetarët e tyre, ndërsa e treta vjen si nismë e veçantë deputeti.
Ato kanë formën e kërkuar të një akti normativ dhe janë të shoqëruara me një relacion shpjegues.
Projektligjet A dhe B, kanë të vendosura nenet kushtetuese ku mbështeten, ndërsa projektligjit C, kjo mbështetje i mungon.
Bazuar në paragrafin 2, pika 3, neni 69 i Rregullores së Kuvendit, ku thuhet se “Projektligjet e paraqitura nga deputetët vihen në rendin e ditës të seancës plenare jo më vonë se 8 javë (pra 2 muaj) nga data e paraqitjes së projektligjit”, i gjej të tre nismat jashtë afatit për tu shqyrtuar nga Kuvendi.
• Problematika në përmbajtje e projektligjeve.
1. Projektligjet dalin jashtë qëllimit dhe objektit të tyre.
Në këtë konkluzion arrihet pasi shqyrtojmë qëllimin dhe objektet e të tre projektligjeve (sidomos projektligjet A dhe C), të përkufizuara nga propozuesit si vijon :
“Ky ligj, ka për qëllim të bëj transparente për publikun, pastërtinë e figurës së çdo zyrtari apo funksionari..., për çështje të përfshirjes së tij, si anëtar, drejtues, apo bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, për periudhën...”. Neni 1, projektligji A.
“Objekti..., është përcaktimi i subjekteve dhe funksioneve të larta shtetërore, mbajtja e të cilave është e papajtueshme, për shkak të pastërtisë morale, të veprimtarisë publike të zyrtarit apo funksionarit, me qenien e anëtarit, drejtuesit, apo bashkëpunëtorit të ish Sigurimit famëkeq të Shtetit për periudhën...”. Neni 2, projektligji A.
“Objekt..., është hapja e arshivave të shërbimeve sekrete shqiptare, të para..., për të gjithë ato funksionarë të lartë shtetërore, të parashikuar nga..., që vazhdojnë të mbajnë këtë funksion, deri në... dhe ka për qëllim vetëm publikimin e tyre”. Neni 1, projektligji B.
“Qëllimi..., është kontrolli i pastërtisë së figurës së personit zyrtar, të emëruar apo të zgjedhur në funksione drejtuese të organeve të rëndësisë së veçantë, për të siguruar..., mbi bazën e respektimit të..., nëpërmjet kontrollit për marrëdhënie me ish organet e Sigurimit të Shtetit”. Neni 1, projektligji C. Pra, pak a shumë në të tre projektligjet (sipas objektit dhe qëllimit paraqitur) synohet “zbulimi dhe publikimi i disa të dhënave (jo ato që cenojnë sigurinë kombëtare) të ish Sigurimit të Shtetit, në lidhje me organet dhe strukturat e tij, me anë të të cilave, mekanizmat e diktaturës ushtronin terror kundër shtetasve shqiptarë, duke dhunuar të drejtat dhe liritë themelore të tyre,në funksion të ruajtjes së regjimit komunist totalitar” (përmbledhje e sforcuar e relatorit).
Thënë në këtë mënyrë, qëllimi i ligjit duhej të plotësonte disa kërkesa të përsëritura të shoqërisë shqiptare si dhe do të përputhej e pajtohej me të drejtën për informim të sanksionuar në nenin 23 të Kushtetutës së Shqipërisë. Në këtë frymë ligji pritej të rregullonte aksesin e shtetasve shqiptarë, për njohjen e disa të dhënave (jo ato që cenojnë sigurinë kombëtare) mbi personat (të gjithë apo funksionarë publikë) të të nxjerra nga dokumentet shtetërorë apo dosarët e ish Sigurimit të Shtetit, si dhe të drejtën për të ditur identitetin e agjentëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Por, duke parë brendinë e projektligjeve (sidomos A-ja dhe C-ja), vërejmë me lehtësi, se propozuesi nuk ka ndjekur thjesht qëllimin e bërjes publike të disa të dhënave të ish Sigurimit të Shtetit. Ai ka nxitur dhe përgjegjësinë politike, ligjore dhe morale të individëve që kanë marrë pjesë në veprimtarinë e ish Sigurimit të Shtetit, duke synuar:
a. largimin e tyre nga funksionet e listuara në nenet 3 e 4 të projektligjit A, neni 3 i projektligjit B, si dhe neni 3 i projektligjit C, si dhe
b. parandalimin e tyre në kandidimin për zgjedhje apo emërim në këto funksione.
Ky konkluzion del i qartë nga përmbajtja e neneve 13 e 17 të projektligjit A, neni 6 i projektligjit B, si dhe neni 20 i projektligjit C.
Gjithashtu, duke analizuar përmbajtjen e nenit 4, të projektligjit A dhe nenin 2, të projektligjit C , rezulton se nuk do të ketë hetime të mëtejshme, nëse personi që verifikohet ka qenë:
a. I përfshirë direkt në veprimtarinë represive të ish Sigurimit të Shtetit;
b. Ka ndërmarrë masa dhe veprime represive kundër kundërshtarëve të regjimit totalitar; Apo,
c. Ka shërbyer në funksion të sigurisë kombëtare.
Për këto shkaqe të sipërpërmendura, projektligjet e paraqitura (sidomos variantet A dhe C) duke dalë jashtë objektit dhe qëllimit të tyre si dhe duke zgjeruar pakuptim ligjor subjektet në verifikim, kanë krijuar një bazë paraprake për një formë të përgjegjësisë morale dhe ligjore kolektive, duke u bazuar thjesht mbi pjesëmarrjen e dikujt në veprimtarinë e ish Sigurimit të Shtetit, pa gjetur direkt fajësinë dhe në mungesë të ndonjë veprimi konkret të dhunimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
2. Në projektligjet, statusi ligjor i Komisionit të verifikimit, është në papajtueshmëri me Kushtetutën.
Në të tre projektligjet e propozuara vlerësoj dhe relatoj se : Statusi ligjor i Komisionit të verifikimit [në projektligje quhet “Komisioni i posaçëm” (varianti A+C), apo dhe “komisioni shtetëror” (varianti B] është i papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë.
Duke analizuar nenet që normojnë pozicionimin e tij në hierarkinë institucionale si dhe ato që normojnë kompetencat e tij, me lehtësi vlerëson se nenet e propozuara mbi pozicionin dhe kompetencat e Komisionit të verifikimit, vijnë në kundërshtim me Ligjin më të Lartë (Themeltar) dhe parimet bazë të shtetit të së drejtës. Më konkretisht:
a. Pozicionimi i gabuar në projektligje i Komisionit të verifikimit, në raport me Kushtetutën.
Dispozitat ligjore të propozuara në të tre projektligjet (spikasin sidomos ato të projektligjit A) kanë cenuar thelbin e Komisionit të verifikimit, si një institucion i menduar e më pas i konceptuar, vetëm për shqyrtimin e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, me qëllim sigurimin e aksesit të lirë të publikut në informacion, duke e shndërruar atë në një organ me kompetenca superkushtetuese. Sa i takon kësaj, është vendi të vlerësojmë, se Komisioni i verifikimit nuk bën pjesë në grupin e institucioneve të rangut kushtetues.
Përmbajtja e nenit 9 të projektligjit A (po dhe më gjerë në këtë draft) si dhe përmbajtja e nenit 4 të projektligjit B, të cilët e përcaktojnë Komisionin e verifikimit si “komision që organizohet dhe funksionon pranë Kuvendit të Shqipërisë, si organ i përhershëm mbikëqyrjeje dhe kontrolli të pastërtisë së figurave të zyrtarëve dhe funksionarëve...” apo si “komision që do të varet dhe do të përgjigjet për punën e kryer para Kuvendit të Shqipërisë”, përmban dhe ofron hipotezën e gabuar se institucioni (Kom. verif) duhet të gëzojë legjitimitet kushtetues, për shkak të përfshirjes së Kuvendit. Por Komisioni i verifikimit nuk përmendet, as dhe kalimthi, në ndonjë prej dispozitave kushtetuese dhe përkufizimet e sipërpërmendura nuk na rezultojnë të përkojnë me ndonjë term të ligjit më të Lartë që do të lejonte kategorizimin e tij midis autoriteteve publike të rangut kushtetues. Aq më tepër që, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, komisionet kuvendore të përhershme apo të posaçme, përbëhen nga anëtarë të cilët gëzojnë statusin e deputetit dhe jo nga “shtetas shqiptar me integritet të lartë moral” të përzgjedhur vetëm nga mazhoranca kuvendore (neni 5 i projektligjit A).
Me kapacitetin e tij si “i vetmi pushtet legjislativ”, Kuvendi miraton legjislacionin, por gjithsesi Ai e përmbush këtë funksion brenda hapësirave të përcaktuara nga Kushtetuta. Në këto projektligje (nisur dhe nga mbështetja e tyre kushtetuese në neni 81 të Kushtetutës) organizimi dhe funksionimi i Komisionit të verifikimit duket se rregullohet me ligj organik, ndonëse veprimtaria e këtij institucioni nuk bën pjesë në objektin e veprimtarisë së parashikuar shprehimisht në terma të kufizuara për ligjet organike nga pika 2 e nenit 81 të Kushtetutës.
Ligji më i Lartë nuk e lejon krijimin ligjor të “organeve autonome” me përjashtim të atyre që parashikohen nga Kushtetuta (germa a, e, pika 2, neni 81 i Kushtetutës). Krijimi me ligj i këtyre organeve autonome do të vinte dukshëm në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, në një shtet të së drejtës (neni 7 i Kushtetutës).
b. Kompetencat e Komisionit të verifikimit sipas projektligjeve, janë antikushtetuese.
Thelbi i antikushtetueshmërisë së projektligjeve të paraqitura, qëndron tek ato nene të propozuara, nëpërmjet të cilave Komisionit të verifikimit i atribuohen kompetenca të tjera veç atyre që lidhen me ruajtjen dhe vënien në dispozicion të publikut të informacionit personal ose publik, vjelë nga veprimtaria e ish Sigurimit të Shtetit dhe që ruhet në arkivat shtetërore. Përveç kompetencave ekzekutive, Komisionit të verifikimit i janë atribuuar edhe kompetenca gjyqësore, duke e kthyer atë në një lloj gjyqësori paralel, gjë e cila del jashtë autoritetit të njohur nga Kushtetuta dhe që ndikon mbi statusin e qytetarëve si dhe mbi marrëdhëniet juridike ndërmjet individëve dhe organeve të parashikuara me ligj.
Statusi antikushtetues i Komisionit të verifikimit, vjen dukshëm në kundërshtim me frymën dhe përmbajtjen e Kushtetutës në situatat kur këtij organi, në përputhje me disa nene, i jepen kompetenca që i tejkalojnë kompetencat e institucioneve të tjera, pavarësisht statusit të tyre ligjor dhe kushtetuese. Në këtë aspekt dhe frymë vlerësojmë dhe relatojmë:
• Pikën 2 të nenit 11 të projektligjit A, me këtë përmbajtje: “Ministria e Brendshme, SHISH, gjykatat dhe prokuroritë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, janë të detyruara t’i paraqesin menjëherë komisionit, kundrejt kërkesës, të gjitha materialet arkivore të kërkuara.
• Pikën 1 të nenit 13 të projektligjit A, me këtë përmbajtje: “drejtuesi i çdo institucioni apo organi i emërtese (këtu bëhet fjalë për Kuvendin, Presidentin, Këshillin e Ministrave, ministrat, Prokurorin e Përgjithshëm, KLD-në, etj më poshtë -shpjegim i relatorit), depoziton brenda 10 ditësh, njoftimin për emërime apo zgjedhje të reja, në një nga funksionet e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji. Vendimi i emërtesës apo zgjedhjes bëhet i formës së prerë, vetëm pas verifikimit si të pajtueshme të figurës së zyrtarit”.
Po këtë përmbajtje pak a shumë kanë dhe neni 5 i projektligjit B si dhe neni 4 i projektligjit C.
Me po këtë vlerësim, me qëllim përcaktimin e statusit ligjor të Komisionit të verifikimit, është e detyrueshme të merren në konsideratë kompetencat e komisionit, aktet e nxjerra prej tij, si dhe procedurat e ndjekura gjatë ushtrimit të funksionit. Midis kompetencave që i jepen Komisionit të verifikimit, ato më relevantet që përcaktojnë edhe statusin ligjor të tij janë :
• Me kërkesë të personave të autorizuar, Komisioni jep Vendimin e pajtueshmërisë apo papajtueshmërisë së funksionit për zyrtarin e kontrolluar (pika b, neni 12 dhe 14 të projektligjit A);
• Komisioni vendos ex officio nëse zyrtari i kontrolluar është në kushtet e pajtueshmërisë apo papajtueshmërisë me funksionin që ushtron;
• Komisioni, çuditërisht, si shkallë e dytë pret dhe merr në shqyrtim ankesat e zyrtarëve për vendimet e papajtueshmërisë dhe vendos: lënien në fuqi apo ndryshimin e vendimit të parë (pika 2, neni 14 i projektligjit A).
• Vendimet e Komisionit janë të formës së prerë nëse nuk ankimohen (neni 15 i projektligjit A);
• Vendimet e marra nga Komisioni mund të ankimohen në Gjykatën e Lartë (neni 16 i projektligjit A);
• Komisioni publikon në internet (faqe zyrtare), një informacion të saktë për numrin dhe identitetin e personave të verifikuar sipas këtij ligji si dhe pozicionet përkatëse që ata kryejnë/kryenin (neni 19 i projektligjit A);
• Komisioni publikon në internet (faqe zyrtare), identitetin e të gjithë zyrtarëve të kualifikuar si të papajtueshëm me detyrën, të cilët ende nuk janë shkarkuar nga eprori apo organi i emërtesës (neni 19 i projektligjit A); apo
• Komisioni publikon në “Fletoren Zyrtare”, të gjithë emrat e funksionarëve, gjetur si bashkëpunëtorë... (neni 10 i projektligjit B); etj.
Sa më sipër, është e qartë se kompetencat e sipërpërmendura të Komisionit të verifikimit, veçanërisht pesë të parat, janë të natyrës gjyqësore dhe se kompetencat e tjera janë me natyrë administrative.
Karakteri gjyqësor i këtyre kompetencave rezulton nga kompetenca e Komisionit për të marrë, lënë në fuqi dhe ndryshuar vendime, fuqia ligjore e të cilave është e barabartë me ato të vendimeve gjyqësore (ai sillet si gjykatë Fakti dhe Apeli njëkohësisht), për shkeljet e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të kryera nga individët nën verifikim.
Fakti se vendimet (dy shkallëshe) e dhëna nga Komisioni i verifikimit, mund të ankimohen pranë gjykatës së Lartë, nuk e eliminon karakterin gjyqësor të veprimtarisë së Komisionit të verifikimit, duke patur parasysh se vendimet e dhëna prej tij lidhen me konstatimin e shkeljes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, gjë e cila është specifike për juridiksionin gjyqësor (neni 42 i Kushtetutës). Gjithashtu pohimi në projektligje se vendimet e komisionit kur nuk ankimohen sipas procedurës janë të formës së prerë, është specifik për aktet e juridiksionit gjyqësor.
Natyra gjyqësore e veprimtarisë së ushtruar nga Komisioni i verifikimit, sipas projektligjeve të paraqitura, del në pah dhe nga procedura që ky Komision ndjek. Në këtë aspekt, kërkojnë vëmendje të posaçme rregullat e mëposhtme procedurale të propozuara:
• Komisioni funksionon kur janë të pranishëm 4 nga 5 anëtarët e tij. Punimet e komisionit bëhen me dyer të mbyllura dhe vendimet e tij merren me shumicë votash (neni 8 i projektligjit C);
• Vendimet e komisionit janë të vlefshme kur ka votuar shumica e anëtarëve të tij (neni 9 i projektligjit B);
• Vendimet e komisionit janë të formës së prerë, kur procesverbali i mbledhjes nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e mbledhjes (pika 2 e nenit 15 të projektligjit A);
• Brenda 30 ditësh komisioni shqyrton sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj,... Në përfundim të verifikimit, komisioni procedon si vijon:... (neni 14 i projektligjit A).
• Kur zyrtari nuk është dakord me vendimin..., ai gëzon të drejtën të paraqesë shpjegime me shkrim për çështjen brenda 30 ditëve. Komisioni ka detyrimin të shqyrtojë shpjegimet e zyrtarit dhe brenda 10 ditësh vendos... (pika 2 e nenit 14 të projektligjit A);
• Kundër vendimit të komisionit, zyrtari apo funksionari, ka të drejtë të paraqesë ankim në Gjykatën e lartë, brenda 7 ditëve nga data e njoftimit të vendimit. Gjykata e lartë brenda 15 ditëve nga depozitimi i ankimit, zhvillon shqyrtimin gjyqësor me dyer të mbyllura, në prani të palëve, dhe vendos për çështjen (neni 16 i projektligjit A); etj
Gjatë shqyrtimit të përmbajtjes normative të teksteve të cituara më sipër, vlerësoj se veprimtaria e ushtruar nga Komisioni i verifikimit deri në dhënien e vendimeve ka :
a. natyrë kolegjiale;
b. përfshin administrimin dhe vlerësimin e të dhënave;
c. çështja në shqyrtim debatohet,para se të vendoset;
d. vendimi merret me votat e anëtarëve.
Këto rregulla janë specifike për procedurat gjyqësore.
Por, në Republikën e Shqipërisë juridiksioni gjyqësor, rregullohet në rang kushtetues, në Pjesën e Nëntë të Kushtetutës. Sipas pikës 1, neni 135 i Ligjit më të Lartë, “ Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e lartë, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj”. Pas shqyrtimit nën prizmin e kësaj norme kushtetuese, të natyrës ligjore të veprimtarisë juridiksionale të ushtruar nga Komisioni i verifikimit, konstatohet se kjo veprimtari nuk ushtrohet brenda ndonjë juridiksioni të parashikuar dhe aq më pak të lejuar nga Kushtetuta.
Po sipas Kushtetutës së Shqipërisë (pika 1, neni 141) Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues .
Juridiksionin fillestar ajo e ushtron vetëm kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Dhe këtu “shteron” ky juridiksion. Ngelet vetëm juridiksioni rishikues.
Nëse propozuesit e projektligjit A në dispozitat e tyre, e përdorin Gjykatën e Lartë, në ushtrim të funksionit të saj rishikues ndaj vendimeve të Komisionit të verifikimit, ata gabojnë pasi pranojnë që Komisioni i verifikimit është njëlloj gjykate dyshkallëshe (fakt dhe apel) dhe kjo vjen në papajtueshmëri me Kushtetutën.
Gjithashtu, juridiksioni i ushtruar nga Komisioni i verifikimit nuk është administrativ, pasi nuk është opsional – sikurse e kërkon e drejta dhe legjislacioni administrativ – por është i detyrueshëm.
Pothuaj në të tre projektligjet e paraqitura, verifikimi i pajtueshmërisë ose jo të postit dhe funksionit të zyrtarëve, kryhet nga i njëjti organ që jep dhe vendimin. Kjo përzierje e funksioneve që lidhen me hetimin dhe gjykimin vjen në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe parimet e shtetit të së drejtës.
Provat (dokumentacioni) mbi bazën e të cilave Komisioni merr vendimet, nxirren nga arkivat dhe administruesi i vetëm i tyre është po vetë Komisioni, gjë që hedh dyshime të bazuara për paanshmërinë e vendimeve të marra nga ky organ. Nga sa relatuam më sipër mbi nene të veçanta të projektligjeve të propozuara, rezulton gjithashtu që procedura e diskutimeve nuk është as publike dhe as kontradiktore. Përfundimisht si relator, për këtë pikë konstatoj se, për shkak të devijimit nga koncepti kushtetues i dhënies së drejtësisë dhe mbi të gjitha, për shkak të përzierjes së funksioneve të hetimit dhe gjykimit dhe mënyrës së apelimit të vendimeve të marra prej Komisionit të verifikimit, nëpërmjet mungesës së publicitetit, të procedurave kontradiktore të diskutimeve, kufizimit të së drejtës së dëgjimit të personit nën verifikim, kompetencave diskrecionale për administrimin dhe vlerësimin e provave, si dhe nëpërmjet autoritetit për të marrë vendime të reja për të njëjtën çështje, juridiksioni i propozuar për tu ushtruar nga Komisioni i verifikimit e përkufizon veten si gjykatë e jashtëzakonshme.
Natyra ligjore e organeve që ushtrojnë një juridiksion të tillë është ajo e gjykatave të jashtëzakonshme, gjë e cila është e papajtueshme dhe ndalohet nga pika 2, neni 135 i Kushtetutës së Shqipërisë.
3. Në projektligjet ka shkelje të të drejtave të njeriut të njohura dhe mbrojtura nga Kushtetuta.
Në të tre projektligjet e paraqitura për shqyrtim përpara këtij komisioni, ku më shumë e ku më pak, vendosen kufizime të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të parashikuara nga Kushtetuta e Shqipërisë. Mbështetur në frymën kushtetuese se, “të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik”, Kuvendi në përmbushje të detyrave të tij kushtetuese, është i detyruar të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojë në realizimin e tyre.
Të tre projektligjet vendosin kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në Kushtetutë, por përveç konsideratave subjektive të luftës politike asnjëri prej tyre, nuk arrin në relacionet shoqëruese të shpjegojë dhe argumentojë :
a. interesin e sotëm të publikut, që passjell kufizimet e të drejtave dhe lirive;
b. mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve (shumicës), si pasojë e kufizimeve të të drejtave (të një pakice);
c. nivelin shqetësues të gjendjes (Sa e përhapur është ajo ? Kush e di? Nga e mësoi?), që dikton kufizimet;
d. rrezikun real se një pakicë mund ti përdorë të drejtat dhe liritë e saj, në dëm të të drejtave dhe lirive të shumicës;
e. cili është përpjesëtimi midis kufizimeve të ofruara në projektligje dhe gjendjes faktike që i dikton ato.
Edhe sikur propozuesit e projektligjeve, t’ju ishin përgjigjur bindshëm kërkesave kushtetuese të mësipërme, ata në asnjë rast nuk mund të anashkalonin kërkesat e nenit 42 të Kushtetutës ku sanksionohet:
“...të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor” dhe “ kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”. Komisioni i verifikimit, i propozuar në projektligjet e paraqitura, pavarësisht se quhet “Komisioni i posaçëm” apo dhe “komisioni shtetëror”, siç parashtruam në pikën 2 më sipër (statusi i komisionit), nuk është dhe s’mund të quhet gjykatë, në atë kuptim që i jep asaj Kushtetuta dhe ligji, gjë që i bën projektligjet e paraqitura të papajtueshme me nenet 17 dhe 42 të Kushtetutës. Gjithashtu, është e habitshme se si në vitin 2006, propozuesit e projektligjeve, kanë “harruar” gjatë procedurave të tyre të kufizimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, se personat nën verifikim duhet të asistohen nga një avokat, gjë që barazohet me shkeljen e të drejtës së tyre të mbrojtjes.
4. Në projektligjet ka ndërprerje të mandateve kushtetuese.
Në projektligjet e paraqitura në këtë komision dhe me konkretisht në nenet 3 e 17 të projektligjit A, si dhe nenet 3 e 20 të projektligjit C, parashikohet ndërprerja me ligj e mandateve kushtetuese.
Ky parashikim në projektligjet A dhe C për ndërprerjen me ligj të mandateve kushtetuese në rastet e vërtetimit të “përfshirjes së zyrtarit” apo se “zyrtarët...figurojnë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit”, vjen në kundërshtim dhe është i papajtueshëm me: pikën 1, neni 65, pikën 2, neni 71, nenin 88, pikën 2, neni 90, pikën 1, neni 109, pikën 1, neni 115, pika 2, neni 125, pika 1, neni 127, nenin 128, pikën 3, neni 136, neni 138, neni 139, neni 140, pika 6, neni 147 si dhe neni 149 të Kushtetutës, të cilat përmbajnë një numër të shteruar të rasteve të përfundimit të detyrës ( mandat apo shkarkim) si : President, deputet, anëtar i gjykatës Kushtetuese, anëtar i gjykatës së Lartë, anëtar i gjykatave të Faktit dhe Apelit, prokuror i Përgjithshëm, të zgjedhur vendor etj.
Dispozitat kushtetuese të mësipërme nuk i përfshijnë këto si raste të përfundimit të mandatit apo të shkarkimit dhe si të tillë, këto i bëjnë nenet e paraqitura në projektligjin A (3 i lidhur me 17) dhe projektligjin C (neni 3 i lidhur me nenin 20), të pambështetura dhe të papajtueshme me Kushtetutën e Shqipërisë.
• Konkluzione mbi nismat.
Duke patur parasysh dispozitat ligjore të shqyrtuara më lart, të cilat përbënin thelbin e të tre projektligjeve të propozuara dhe në përmbajtjen e tyre specifike janë të pandashme nga i gjithë sistemi normativ i propozuar, unë si relator konstatoj – se të tre projektligjet në tërësinë e tyre (të shqyrtuara dhe vlerësuara në veçanti, por dhe si të integruara) janë të papajtueshme me Kushtetutën [pasi vijnë në kundërshtim me rreth 25 nene të Ligjit më të Lartë (nenet 4, 6, 7, 15, 17, 33, 42, 65, 71, 77, 88, 90, 109, 115, 125, 127, 128, 135, 136, 138, 139, 140, 141, 147, 149).]Gjithashtu bazuar në pikën 3, neni 69 i Rregullores së Kuvendit, i gjej të tre projektligjet, jashtë afatit 2 mujor (datat e paraqitjes së tyre 25, 26 dhe 27 tetor 2006 e nr. 3382, 3380/2, 3411 prot), për tu shqyrtuar në komision dhe seancë plenare.
• Sugjerim mbi propozuesit.
Sa parashtrova më sipër, mbështetur në kushtetutë dhe bazuar në Rregullore kërkoj nga propozuesit tërheqjen e projektligjeve të paraqitura si nismë ligjvënëse.
Gjithashtu, momenti dhe detyra e relatorit, më lejon me modesti të sugjeroj diçka mbi propozuesit e sotëm dhe ata të tentativës. Qëllimi dhe objekti i projektligjeve të propozuara, të artikuluara shpesh dhe në foltoret politike (hapja/bërja publike e disa të dhënave të ish Sigurimit të Shtetit, dhe përgjegjësia moralo-politike personale), mund dhe duhet të arrihet vetëm nëpërmjet normave të hartuara në përputhje më Kushtetutën e Shqipërisë dhe parimet bazë të shtetit të së drejtës. Çdo veprim i kundërt i bën ato norma - antikushtetuese, dhe detyron organet shtetërore të zbatojnë drejtpërsëdrejti dispozitat kushtetuese.
*deputet
8 Korrik 2008