E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma dhe "deformuesit" e saj



Prof.dr. Sokol SHUPO*

Frymën e diskutimeve të llojit të atij që Z. F. Hysi botoi në gazetën Albania të dt. 27.06.08 unë e vështroj si shumë (anshmërisht) të dobishme. Së pari sepse krijon hapësirë për të zbuluar natyrën dhe karakterin e pjesëmarrësve dhe së dyti sepse krijon një mundësi shumë të mirë publiciteti për punën. Prandaj dua ta falënderoj sinqerisht Profesor-Doktorin e vjetër të AA-së, ish-Rektorin e saj dhe ish-shefin e Departamentit të Shkencave të Muzikës (?!), edhe për këtë mundësi të cilën ai nuk e përdori dot kur qe në pushtet (Dum vixi tacui, mortua dulce cano – Kur isha i gjallë isha i heshtur, tani që vdiqa këndoj me ëmbëlsi) edhe për “litarin jashtë varrit” që “shkrimi” i sipërpërmendur i “la në derë” gazetës “Albania”. Kështu, pa mënuar, do të filloja me “kujtesën” që ish-shefi na bën se qëkur erdhi stafi i ri drejtues te FM-ja “janë shtuar problemet”. Në FM ka pasur historikisht shumë probleme, të hapura dhe “të fshehura” dhe dendësinë më të madhe të tyre do ta gjejmë padyshim në kohën e “zotërimit” të këtij ish-shefi. Ato janë përfolur e diskutuar për vite me radhë edhe prej vetë anëtarëve të stafit akademik, dhe gjendja, deri para pak muajsh kishte arritur deri atje, sa që në opinionin e gjerë thuhej se “në AA nuk bëhet fare mësim”. Edhe vetë ish-shefi e dinte këtë gjë, por nuk ndërmori asgjë për ta ndrequr gjendjen. Ndërkaq, qysh në “ditën e parë” të punës, stafi i ri mori masa për pedagogët që në semestrin e parë nuk kishin bërë asnjë orë mësimi, por orët i kishin shënuar si të kryera; vendosi një sistem kontrolli shumë më të efektshëm mbi frekuentimin e mësimit; “solli” në Sekretari regjistrat që mbaheshin prej kohësh nëpër shtëpia dhe plotësoheshin në fund të vitit dhe detyroi plotësimin e tyre sipas ligjit; zgjidhi problemin e studentëve që figuronin në dy regjistra të ndryshëm, të të tjerëve që, çuditërisht, gjendeshin në dy leksione apo seminare të ndryshme njëkohësisht; rregulloi përplasjet e orareve që solli vendosja e disiplinës në zhvillimin e procesit mësimor, etj., dhe nuk u pengua as prej të hedhurave e të priturave të ish-shefit dhe të ndonjë “pushtetari” të emëruar rishtas të AA-së nëpër tavolina kafenesh, apo nëpër ambiente të tjera publike dhe as prej shembullit të tyre negativ. Ky ndryshim e bëri opinionin e brendshëm dhe të jashtëm të thotë se në AA “po bëhet përsëri mësim”, se “gjendja është përmirësuar rrënjësisht”. Ky ishte edhe njëri prej premtimeve tona zgjedhore dhe ne e mbajtëm. Z. Prof. Dr. i vjetër, na kujton se këtë semestër është shtuar numri i studentëve që mbetën në provime. Por komisionet tona të provimeve janë formuar prej kuadrit më të kualifikuar të FM-së, dhe besojmë se, as ai nuk dyshon në aftësitë e tyre vlerësuese (në të tijat jo e jo - edhe ai është anëtar i ndonjë komisioni). Problemi këtu është se statistikat dëshmojnë të kundërtën: Prej 390 studentëve të vitit të shkuar akademik nuk mbetën në asnjë provim vetëm 141, ndërsa këtë vit (deri tani) prej 389 studentëve nuk mbetën 202 prej tyre. Pra disiplinimi i procesit mësimor solli angazhimin më të madh të studentëve për të nxënë. Ndoshta Prof. Dr.-ja ynë nuk ka qenë i informuar mirë në këtë pikë (jam i sigurt se nuk e ka bërë me qëllim!) por mësimi që na jep ky “gabim” është se duhet ta provojmë pohimin tonë, pastaj ta shprehim atë publikisht. A nuk duhet ta falënderojmë qoftë edhe për këtë përvojë? Ndonëse ai nuk “mban mend” as se në lëndën e tij, prej 98 studentëve sivjet kaluan 36, ndërsa vitin e shkuar prej 85 studentëve 31 syresh! Shyqyr që kemi shkencën e numrave që na qetëson sepse të qe për “artin” e marifeteve, ai është bërë vetëm për të turbulluar! Por, meqë në këtë përgjigje premtuam se vetëm do ta falënderojmë, le t’i a falim ish-shefit edhe këtë lajthitje “të rastësishme” dhe të pranojmë atë që ka të drejtë. Kontrolli i zhvillimit të mësimdhënies (epiteti i përdorur në “shkrimin” e tij është “spiunllëk”) me anën e Fletë-Pranisë (një letër-standard ku studenti dhe pedagogu firmosin praninë e tyre i ngjashëm me kartat elektronike që përdoren rëndom nëpër institucionet shqiptare - përfytyroni sikur ndonjë nëpunës një institucioni publik të fyhej se është i detyruar të provojë praninë e tij në punë në këtë mënyrë!) dhe administratës, nxori në shesh edhe atë pak ndryshk të “fshehur” që i kishte mbetur kohës së “sundimit” pararendës. Prej 390 studentëve të vitit të shkuar, vetëm 16 prej tyre e paskëshin plotësuar numrin e mungesave të lejuara - këtë vit ky numër është 92. Natyrisht që ky ndryshim nuk tregon se “befas” studentët e humbën interesin për shkollën siç këtë gjë nuk e dëshmon as kalueshmëria e tyre. Madje edhe sikur këto mungesa të kenë ndodhur me “mirëkuptimin” e pedagogëve (siç kërkon të thotë ish-shefi ynë kur pohon se në ndonjë klasë ishin të pranishëm vetëm 30 studentë, por kishin firmosur 70 syresh), është fare e qartë se në kohën e tij ky tregues ose fshihej me qëllim, ose nuk dihej fare (siç nuk dihej, p.sh., me saktësi as sesa orë zhvilloheshin në FM). Pra le të mos ia “hamë hakun” as kësaj radhe e t’i themi faleminderit që na shtyu të dëshmojmë edhe një anë tjetër të seriozitetit të punës sonë. Në shkrimin e tij ish-shefi na qorton se, në kohën e stafit të ri, “asgjë nuk ka lëvizur, përkundër...” Por, meqë ky qortim tingëllon pak si “turçen e dinje po s’donje” po i lejoj vetes të ripërmend këtu vetëm disa prej punëve të mbaruara e në proces të “këtij stafi”. Ne i hoqëm provimet e studentëve prej klasave të mbyllura, ku mundësitë e “kompromiseve” shumoheshin prej mungesës së transparencës dhe krahasimit dhe i nxorëm në skenë. Përfundimi; studentët e njohin më mirë njeri-tjetrin, pedagogët janë më realistë në vlerësimet, mundësitë e ngjarjeve subjektive janë më të kufizuara. Ne hartuam dhe vumë në funksionim për herën e parë në historinë e FM kritere standarde të vlerësimit. Përfundimi? Në provimet e semestrit të verës doli në pah më qartë se kurrë ndonjëherë tjetër, niveli i përgatitjes. Diskutimet që rrodhën prej këtyre standardeve përcaktuan më saktë “diagnozën” dhe “ilaçet” për secilin student. Ne përpunuam e diskutuam një numër rregulloresh që rendojnë në mënyrë më të arsyeshme dhe në përputhje me ligjet jetën e FM dhe përballë tyre të gjithë janë barabar. Ne konceptuam dhe organizuam një jetë koncertore në të cilën morën pjesë pothuaj të gjithë studentët dhe jo vetëm ca të privilegjuar (në “Stinën Koncertore e Pranverës” për tre muaj u realizuan 25 koncerte, pra 2 koncerte në javë). Përfundimi? Studentët “prekën” qysh në bankat e shkollës qëllimin për të cilën përgatiten, hynë në garë të hapur me njeri-tjetrin dhe punuan me një shpirt bashkësie të lëvdueshëm. Dëshmia më e rëndësishme e këtyre arritjeve ishte vënia në skenë e njërës prej veprave më të rëndësishme e të vështira të repertorit operistik botëror, operës “Dasma e Figaros”, të cilën ata e përballuan me sukses. Ne konceptuam dhe jemi duke mbaruar një riformatim cilësor e të shtresëzuar të programeve të FM. Mbarimi i plotë i këtij riformatimi do të mundësojë fillimin e vitit akademik 2008-2009 sipas standardeve më serioze të shkollave europiane. Më në fund, i tërë stafi drejtues dhe ai akademik i FM është angazhuar me përkushtim në kryerjen e një riformatimi konceptual të strukturës mësimore të FM sipas standardeve të procesit të Bolonjës. Përveç këtyre, në vetën tre muaj, ky “staf” organizoi një numër masterclass-ash dhe aktivitetesh të përbashkëta me kolegët e huaj, në përfundim të të cilave mjaft studentë përfituan bursa të shkurtra studimi jashtë vendit; i nxiti studentët të marrin pjesë në konkurse ndërkombëtare (në konkursin e Prishtinës studentët e FM fituan të gjitha çmimet e mundshme); nxiti dhe dërgoi në aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare (Shkup, Prishtinë, Janinë, Tel-Aviv) studentë dhe asistentë të rinj dhe gëzoi bashkë me ta suksesin e tyre. Dhe këtu duhet të shtojmë edhe kontaktet dhe marrëveshjet që po kryen me kolegë të huaj apo me shqiptarë që kanë mbaruar e punojnë prej kohësh jashtë Shqipërisë për të dhënë mësim pranë institucionit tonë. E gjithë kjo punë është kryer në një frymë intensive diskutimesh dhe bashkëpunimi me të gjithë anëtarët e stafit akademik. Çdo hap të tij, dekani “mospërfillës dhe autoritar ndaj vartësve” e ka diskutuar me hollësi (nëpërmjet pyetësorëve) me specialistët dhe seksionet përkatëse, me Dekanatin dhe me Këshillin e FM. Edhe me shtimin e lëndëve të reja është bërë e njëjta gjë. Sa për fantazitë mbi lëndën “e panjohur” që përmend z. Hysi, hë për hë, ato i përkasin sferës së thashethemeve. Kështu që le të presë edhe ca. Nxitimi nuk është këshilltar i mirë ndërsa prej durimit nuk vjen ndonjë e keqe. Ne e sigurojmë që kur të vijë koha do t’ia kërkojmë përsëri mendimin. Këto janë punët që kemi bërë e vazhdojmë të bëjmë ne. Këto ishin edhe një pjesë e rëndësishme e premtimeve tona elektorale që ne i mbajtëm. Dhe kjo është mënyra sesi punojmë. Na vjen keq që nuk ia plotësojmë dot ish shefit tonë dëshirën militante për të bërë “mbledhje” apo “gjyqe të hapura” si në kohën e shkuar. Por edhe që ta lemë të flasë fare kuturu e të ngatërrojë “me qëllim të mirë” gramaturat për ta shndërruar ilaçin në helm (Dosis facit venemon), nuk e bëjmë dot, ndonëse, të themi të drejtën, ushtrimet e tij në alkimi nuk është se janë pa humor dhe nuk është se nuk na zbavisin. Natyrisht që kjo praktikë pune as që mund të mendohej prej tij. “Reforma” që ai përmend se ndërmori ishte vetëm një farsë. Në vjeshtën e vitit 2007 stafi akademik u gjet i detyruar të përfshinte në strukturën mësimore të FM disa lëndë për të cilat as ishte pyetur, as i kishte diskutuar e as kishte vendosur ndonjëherë. Për më shumë u detyrua të pranonte t’i përdorte studentët si kavie për ca “pedagogë” pa asnjë kualifikim përkatës (mes tyre edhe “kanakarja” e ish-shefit tonë). Kjo ishte arsyeja që ne i hoqëm ato lëndë. Sepse nuk mund ta gënjejmë as veten e as të tjerët se në Bolonjë mund të hyjmë vetëm duke barabartësuar sasinë e lëndëve të FM me atë të Akademisë homologe të Prishtinës. Këtë e di me siguri edhe ish-shefi ynë, ndonëse ia “do puna“ të përdorë ndonjëherë edhe ca argumente “të forta” e “patriotike” si këto. Dhe meqë erdhëm te kuadri: ish-Rektori ynë (prej kohës të së cilit mbahet mend vetëm sesi pushoi nga puna ata që e emëruan, se si “privatizoi” pianon e AA-së, etj. “ynere” si këto) merakoset, jo për të rinjtë e talentuar, që në kohën e tij kanë mbaruar shkëlqyeshëm studimet e që punojnë si të jashtëm apo nuk janë qasur fare në dyert e AA, por vetëm për njërën prej tyre, të cilën e vështron si shpresën që do të sjellë përmirësime të tjera “konceptuale dhe formale të shkollës”. Jo për ata dhjetëra këngëtorë e instrumentistë që sot po shkelin me sukses në skenat më me emër të botës, të cilëve ai e “klani” i tij nuk u krijoi asnjë mundësi për të dhënë ndihmesën e tyre këtu, por për dikë së cilës i fali të gjitha privilegjet e mundshme e nuk mundi dot të marrë në shkëmbim veçse “korrje” fare të rëndomta, si në planin pedagogjik edhe në atë shkencor. Sepse po ta vështrojmë ashtu siç është entuziazmin për cilësitë dhe aftësitë e kësaj “medaljeje të artë” (përbërja e së cilës pas shkollimit u dëshmua të jetë një aliazh metalesh të zakonshme i lyer me të verdhë), po të lemë mënjanë edhe meraqet e tij “pa interes”, po të bëjmë sikur nuk i vëmë re as “tabiatet” e tij prej sekretari të hershëm rinie, me të cilat kërkon të vejë në sedër kryeministrin dhe ministrin e MASH sepse (siç) një Dekan që “vetë shkruan e vetë vulos” po u prishka politikat arsimore (hajde DEBATIK hajde!), do të vërejmë se për faj “politikave të kuadrit” të ish-shefit tonë dhe të klanit të tij, gjendja në FM ka arritur deri aty sa që sot është shumë e vështirë të zgjedhësh mes urgjencës dhe perspektivës. Kjo është arsyeja që sot FM po përpunon një strategji afatgjatë në këtë drejtim. Në të përfshihen organizimi i kualifikimeve të larmishme pasuniversitare (kurse të formimit të vazhduar, Mastera të Nivelit të Dytë, studime doktorature dhe jo SHPU të nivelit universitar, siç janë bërë në kohën e Drejtorit të tyre - me siguri prej modestisë ish-shefi e ka harruar ta shtojë edhe këtë titull te “shkrimi” i tij), bashkërendimi i tyre me Universitete të tjera shqiptare e të huaja. Dhe, pas një përzgjedhjeje të hapur e të ndershme me anën e konkurrimit, më të mirët e kualifikuar kështu do ta fitojnë natyrshëm vendin e tyre në institucionin ku breza të tërë njerëzish të shquar kanë punuar ndershmërisht për përparimin dhe jo për privilegjin, dhe nuk do ta presin atë nga “lart” apo prej ndërhyrjes së ndonjë “miku”. Le të besojmë se edhe z. ish-Rektor mendon njëlloj si ne, dhe “keqkuptimi” vjen vetëm prej mënyrës sesi shprehet. Në këtë pikë më duhet të pohoj se e vërteta që fshihet pas “shkrimit” të sipërpërmendur është si më sipër dhe jo ajo që kërkon të thotë “miku” ynë. Ndaj, pasi që “qortimet” iu dëshmuan mllefe personale e smirë, “angazhimi qytetar”, interes dhe sedër e sëmurë dhe gjithë çka mbetet, të kujton personazhin e Romain Roland-it, i cili pasi ishte larguar ushtria e princit, vërente me pikëllim se “...qilari i verës është bërë trokë dhe qymezi s’ka më asnjë pulë...”, është e qartë se qëllimi i “shkrimit” të tij është tjetërkund. Por kjo është çështje e tij personale. Unë nuk do të zgjatem e të shtoj këtu ndonjë fjalë as për “drojën” prej përgjigjes sime që Prof. Dr. ynë i vjetër shpreh në “shkrimin” e tij, e as për “grishjen” që më bën për t’u përgjigjur me ndonjë cilësor të cilin ma sugjeron me bujari. Meqë e thotë vetë, nuk po ia prish qejfin dhe i pohoj se jam plotësisht në një mendje me të. Sepse ka të ngjarë, që po të provoj ta kundërshtoj e t’i them se s’është ashtu siç thotë ai, mund ta zemëroj dhe të marr ndonjë përgjigje si ajo që Vezak Rrumbullaku i dha Lizës së Botës së Çudirave: “Nuk më pëlqen fare të më quajnë Vezak!”. Por për një gjë jam me të vërtetë kureshtar: me kë është “bashkë” z. Hysi, meqë këtë gjë e ka përmendur edhe herë tjetër (bile edhe duke evokuar “idealet e Revolucionit francez”!). Në votimet ku kandidoi për Dekan (ai i cilëson ato “Dushk e Divjakë” por as ai e as “agjitatorët” e tij që bënin presion me mjaft “zell” mbi studentët te dyert e Qendrës së Votimit, nuk depozituan ndonjë ankesë zyrtare apo ndonjë tymnajë thashethemesh për parregullsi) mori pakicën, ndërsa për kandidaturën e tij për në Senatin e AA-së fitoi vetëm dy vota, të tijën dhe ... “të tijën”! Dhe meqë nuk i ka dalë ende inati i humbjes, apo meqë nuk mund të mësohet dot ta japë ndihmesën e tij edhe kështu, pa pasur ndonjë pozitë, vazhdon të grindet keqazi me kolegët që nuk votuan për të (bile edhe në ndonjë drekë mortore!). Në mbledhjet e Seksionit të Muzikologjisë, ku diskutohet perspektiva e zhvillimit të specialitetit, kundërshton për hatër të kundërshtimit, ndonëse, kur e kupton edhe vetë se “e teproi”, “shtrohet”. Në punën e përditshme si pedagog ka mangësi, të cilat janë diskutuar dhe dokumentuar në instancat e ndryshme të AA-së dhe prej studentëve ka mjaft ankesa për mënyrën sesi sillet. Më në fund, në tavolinat e kafeneve përreth AA-së njerëzit i afrohen, jo për ta përkrahur, po për të shkuar kohën e për t’u zbavitur me mënyrën sesi “vetëtin dhe bubullin” kundër dekanit, ndonëse e dinë mirë se “jo çdo gjë që ngjan me buallin është Jupiter”. Prandaj nuk më mbetet gjë tjetër veçse, ashtu si Apelles-i, piktori i vjetër grek, të cilit një herë një këpucëbërës po i jepte mendime mbi veprën e tij, ta këshilloj sinqerisht Profesor-Doktorin e vjetër të AA-së, ish-Rektorin e saj, ish-shefin e Departamentit të Shkencave të Muzikës dhe kolegun: “Këpucar, fol (vetëm) për sandalet!”. Dhe, meqë nuk dua të keqkuptohem, jam i detyruar ta “përkthej” kështu kuptimin e këshillës së sime: Zoti koleg, pavarësisht prej qëllimit, leri mënjanë përrallat mbi Ujkun e Keq që urreka bile edhe “malet e Shqipërisë e fushat e gjera me lule”, lisat dhe lumenjtë e kulluar që rrjedhin, dhe që ty të paska shumë-shumë inat! Lere mënjanë sedrën e vrarë prej humbjes, hiq dorë prej “gjahut” të studentëve dhe kolegëve-shtriganë që nuk kanë votuar për ty, kuptoje më në fund se kemi përpara një punë shumë serioze për zhvillimin e AA-së dhe integrimin e saj në proceset europiane dhe është e paarsyeshme të humbasim kohë e të merremi me ligësitë që mendja i pjell vetëm kur lëngon prej së keqes. Shtrohu e puno seriozisht bashkë me të tjerët! E kemi parë dhe e dimë që diellin nuk mund ta bësh dot, por të sigurojmë se ne dimë të çmojmë bile edhe hijen e më të papërfillshmes fije të barit kur ajo është në vendin e saj!

* Dekan i Fakultetit të Muzikës

8 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›