E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhet e shqiptarëve ndaj të huajve, fatura shtohet me 800 USD çdo vit

Sa do të paguajë çdo taksapagues deri në 2010-n

Ervin Koçi

Taksapaguesit shqiptarë janë ndër “borxhlinjtë” më të mëdhenj në Europë. Kjo jo për fajin e tyre, por për shkak të fondeve dhe kredive të shumta të marra nga qeveritë ndër vite, të cilat nuk i kanë përdorur si duhet dhe nuk i kanë kthyer këto para që janë shndërruar në borxhe. Shqipëria, vendi me të ardhura mesatare vjetore, rreth 3,3 mijë dollarë për frymë, vazhdon të ketë në plan të parë financimin e deficitit buxhetor me anë të burimeve të huaja. Për vitin 2008, qeveria shqiptare, për t‘iu përmbushur premtimeve elektorale për investimeve, ka parashikuar të marrë rreth 600 milionë dollarë financime të huaja. Bashkë me këtë shifër, në total, borxhi i jashtëm i qeverisë shqiptare vlerësohet në rreth 2,4 miliardë dollarë. Nisur nga kjo shifër, çdo shqiptari i bie të paguajë për borxhin, mesatarisht 800 dollarë në vit. Nëse do të bënim llogaritë dhe për borxhin e brendshëm të qeverisë, ky detyrim do të ishte akoma dhe më i madh dhe bashkë me interesat ai rritej çdo vit dyfish. Ministria e Financave, në strategjinë e ardhshme, deri në fund të vitit 2009, për menaxhimin e borxhit publik, në veçanti atij të jashtëm, ka bërë publike disa shifra, nga të cilat mësohet qartë se cilit vend i detyrohemi më tepër. Në dokumentin e publikuar nga Financat, janë të renditura dhe institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat prej vitesh kanë shërbyer për nevojat e vendit, duke dhënë kredi me terma të butë.

Borxhet

Për vite me radhë, që prej 1991-shit, vendi ynë ka marrë hua në forma të ndryshme nga shtete të huaja, si dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, me synim përmbushjen e nevojave të brendshme për para. Gjatë këtyre viteve, një pjesë e mirë e borxheve janë shlyer, ndërsa një pjesë ndodhet në proces. Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, mësohet se në përbërjen e stokut të borxhit të jashtëm sipas kreditorëve, konkretisht nga kreditorët shumëpalësh, vendin e parë e zë IDA, (Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim-pjesë e Bankës Botërore), me një total kredish prej 679.477.850 dollarësh. Pas saj, vjen BEI (Banka Evropiane e Investimeve) me shumën 89.970.940 dollarë, si dhe BERZH (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim), me një total kredish të dhënë në rreth 56.371.410 dollarë, ndërsa rreth 33 milionë dollarë, janë detyrime për institucione të tjera financiare të përmbledhura në emrin tashmë të njohur “donatorë”. Këto janë institucionet, me të cilat qeveria shqiptare ka një sërë marrëveshjes financiare, të nënshkruara vite më parë, ku dhe normat e interesit janë rreth 2 për qind më të ulëta se kreditë që ofrojnë bankat tregtare.

Shtetet të cilave u detyrohemi

Përsa u përket kreditorëve dypalësh, pra sipas shteteve të ndryshme, vendin e parë e zë Italia me një total kredish prej 139.978.790 dollarë, pas saj Gjermania me 114.481.630 dollarë, Japonia me 54.337.920 dollarë, Kuvajti me 30.152.830 dollarë etj. Këto shuma janë kredi për të cilat qeveria jonë paguan interesa sipas tregut ose marrëveshjes, por nuk duhen harrur edhe fondet falas (grantet), që këto vende kanë dhënë për Shqipërinë, ku dhe detyrimet, morale apo tregtare shkojnë më shumë se kaq. Një pjesë të kredisë që është marrë në këto vite liberalizimi, interesat paguhen me valutën SDR, e emetuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (1 SDR baras me 0,6 USD ose 0,9 EUR). Konkretisht, në përbërjen e stokut të borxhit sipas monedhave, peshën kryesore e zë borxhi në SDR (49,83 për qind), borxhi në EURO (30,42 për qind), borxhi në USD (11 për qind) etj.

Skema//////////////////////////////
Kujt i detyrohemi më shumë:

1. IDA (Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim, pjesë e Bankës Botërore)
Detyrimi: 679.477.850 USD

2. BEI (Banka Europiane e Investimeve)
Detyrimi: 89.970.940 USD

3. BERZH (Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim)
Detyrimi: 56.371.410 USD

4. 33 milionë USD, detyrime për institucione të tjera financiare “donatorë”

Shkurt//////////////////////////
Leku e mbylli javën me qëndrueshmëri ndaj euros dhe dollarit

Leku paraqiti qëndrueshmëri në kursin e këmbimit me euron dhe dollarin amerikan gjatë javës që u mbyll (30 qershor-5 korrik). Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fillim të javës 1 USD u këmbye mesatarisht me 77.63 lekë, ndërsa në fund të javës, me 77.17 lekë. Kurse euroja u këmbye mesatarisht me 121.92 lekë në fillim të javës dhe në fund të saj me 122 lekë. Efektet sezonale të turizmit pritet të ndikonin në forcimin e lekut, por sipas përfaqësuesve të agjencive të këmbimit valutor, ndërhyrjet në tregun valutor të BSH-së, duke blerë valutë, kryesisht euro, kanë bërë të mundur qëndrueshmërinë në kursin e këmbimit të lekut me monedhat e tjera. Me fillimin e muajit korrik, që përkon me ardhjen e mijëra emigrantëve dhe turistëve nga Kosova e Maqedonia për të kaluar pushimet verore në Shqipëri, vlerat e valutave në këmbimin me lekun bien. Uljen më të ndjeshme e pëson euro, kjo edhe për shkak se pjesa kryesore e të ardhurve në këtë periudhë vijnë nga shtete të eurozonës. Shifrat zyrtare tregojnë se numri i përgjithshëm i vizitorëve të huaj gjatë periudhës janar-maj të vitit 2008 arriti në 581.723 persona, me një rritje 21 për qind krahasuar me vitin 2007. Për herë të parë gjatë vitit 2007 turizmi u rendit në krye të klasifikimit për sa i përket prurjeve valutore në ekonominë vendase nga jashtë, me rreth 1 miliard euro. Vlerat monetare që u përfituan kaluan dërgesat e emigrantëve, të ardhurat nga eksportet dhe të ardhurat që futen nga investimet direkte, duke u shndërruar në një burim të ardhurash dhe punësimi.

8 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›