Zheji, letër Barrosos: “Na ndihmoni për referendumin”
Kryetari i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji, i ka dërguar një letër Presidentit të Bashkimit Europian, Barroso, për t’i shprehur shqetësimet për ndryshimet e Kushtetutës. Në këtë letër Zheji thekson kërkesën e këtij komiteti dhe të shoqërisë civile për domosdoshmërinë e zhvillimit të referendumit. “Privacionet e pashembullta të shqiptarëve nën një nga diktaturat më të egra komuniste dhe vështirësitë e tranzicionit postkomunist nuk e kanë zbehur dëshirën e tyre për liri dhe sovranitet real. Kushtetuta detyron organizimin e një referendumi kur këtë e kërkojnë të paktën 50 mijë qytetarë. Ata janë shumë më tepër dhe prandaj, në respekt të Kushtetutës, ligjit, lirisë dhe demokracisë, duhet të lejohen të shkojnë në referendum ku do të votohen amendimet e Kushtetutës të realizuara më 21 prill me anë të Ligjit Nr. 9904. Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për stabilitet pas shumë vitesh të turbullta tranzicioni. Por ata nuk kanë nevojë për një stabilitet pa liri, produkt jo i rritjes së demokracisë, por i pakësimit të saj dhe i tiranisë së shumicave të bashkuara ose jo. Pasoja kriminale të një stabiliteti të tillë pa liri, shqiptarët i kanë hequr në kurriz për më shumë se një gjysmë shekulli, më shumë se çdo popull tjetër i Europës Juglindore. Një ‘stabilitet’ i tillë autoritarist do të qe në fakt destabilizues për demokracinë liberale sepse do të prishte balancat mes pushteteve. Dhe në thelb të aspiratës së shqiptarëve për liri dhe demokraci është ai stabilitet që i vjen shtetit dhe shoqërisë përmes reformave vërtetësisht demokratike, që forcojnë pavarësitë e institucioneve dhe liritë qytetare”, - thuhet në letrën që i ka dërguar Zheji presidentit Barroso. Mësohet gjithashtu se një letër i është dërguar edhe komisionarit për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Oli Rehn. Ndërkaq, Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës depozitoi dje në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë një kërkesë për shfuqizimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me zhvillimin e një referendumi popullor lidhur me amendamentet e Kushtetutës së Republikës të realizuara më 21 prill nga shumica e bashkuar e deputetëve të PS-së dhe PD-së.
Në kërkesë jepen argumente të shumta juridike që provojnë se vendimi i KQZ-së për të mos marrë në shqyrtim kërkesën për fillimin e procedurave për një referendum të përgjithshëm cenon të drejtën kushtetuese për një proces të rregullt ligjor me qëllim mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm.
8 Korrik 2008