E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatat të shikojnë me përparësi çështjet e votuesve

17/06/2005  Moisiu: Zgjedhësit të kërkojnë emrin në listat e shpallura

Presidenti i Republikës u ka bërë thirrje votuesve që, nëse nuk e gjejnë veten në lista, të përdorin të drejtën e tyre ligjore për t’iu drejtuar gjykatës. Sipas Moisiut, krahas të drejtave kushtetuese, shtetasit kanë edhe detyrime morale dhe përgjegjësi qytetare, që, përmes pjesëmarrjes aktive në votime, të përmbushin rolin e tyre në një shoqëri demokratike e të civilizuar. “Kodi Zgjedhor parashikon vetëm një detyrim ligjor për gjykatat: vlerësimin mbi kërkesat e qytetarëve për regjistrim në listat përfundimtare të zgjedhësve. Tani që procesi për përgatitjen, hartimin dhe miratimin e listave të zgjedhësve ka përfunduar, qytetarët që nuk e gjejnë veten në listat e zgjedhësve, kanë të drejtë ligjore të paraqiten pranë gjykatave për të kërkuar përfshirjen në listë”, tha Presidenti Moisiu. Në emër të KLD-së, ai u bëri thirrje gjykatave të rretheve gjyqësore që ta përmbushin këtë detyrim ligjor me transparencë, përgjegjësi dhe profesionalizëm. "Ato duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme tekniko-administrative për të lehtësuar procesin dhe për të ndihmuar me shpejtësi dhe korrektesë shqyrtimin dhe vendimmarrjen mbi kërkesat e paraqitura. Nuk duhen toleruar vonesa dhe neglizhenca në përmbushjen e kësaj detyre ligjore”, theksoi Presidenti Moisiu, i cili duke iu drejtuar qytetarëve-votues, kërkoi që ata të kontrollojnë nëse janë të regjistruar në listat përfundimtare të zgjedhësve. Sipas ligjit, zgjedhësit mund të regjistrohen deri 24 orë para ditës së votimit. Për këtë do të duhet një vendim i gjykatës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›