E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ rishtyn kërkesën e PD për 1400 studentët

17/06/2005  Demokratët këmbëngulin në penalizimin e Njësisë Bashkiake nr.2

KQZ ka shtyrë për të tretën herë diskutimin mbi kërkesën e PD-së për penalizimin e kreut të Njësisë Bashkiake nr.2 në Tiranë, Përparim Bodinaku, i cili nuk ka pranuar regjistrimin e 1400 studentëve. Shkak i vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë fakti se dekanët nuk kanë dorëzuar informacionin për studentët që kanë kërkuar të votojnë në Tiranë. Kërkesa dekanëve u është dërguar disa ditë më parë. Por, deri dje, informacioni ka munguar. Në të njëjtën mënyrë ka vepruar dhe Gjykata e Lartë. 4 ditë më parë KQZ i ka kërkuar Kolegjit të paraqesë vendimin që ka marrë pak ditë më parë, ku kërkohej regjistrimi i 5 studentëve që ishin ankuar ndaj kreut të Njësisë Bashkiake. Por dhe gjykata nuk ia ka paraqitur vendimin e zbardhur komisionit të zgjedhjeve. Argument i kësaj neglizhence është dhënë fakti se ende nuk është zbardhur argumentimi për marrjen e vendimit prej gjyqtarëve. Duke parë këtë fakt kreu i komisionit ka kërkuar shtyrjen e diskutimit të çështjes.

Debati

Përfaqësuesi i PD-së pranë KQZ-së, Ferdinand Poni, ka kërkuar që vendimi për çështjen "Bodinaku" të merret sa më parë, në mënyrë që t'i hapet rruga regjistrimit të 1400 studentëve. Sipas tij, çështja nuk mund të shtyhet për në kalendat greke. Ndërkohë, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dodë Prenga, ka kërkuar që çështja të shqyrtohej mbasdite, ndërsa një përfaqësues i KQZ-së mund të paraqitet në gjykatë për të marrë dorazi vendimin e marrë. Sipas tij, nuk është e drejtë që kur flitet për çëshjet të regjistrimit të listave, KQZ të shtyjë çështjen në një kohë të dytë, ndërsa data e zgjedhjeve po afron.

Vendimi

Megjithatë, kreu i KQZ-së, Ilirian Celibashi, ka kërkuar që diskutimi të shtyhet për ditën e shhtunë. Ndërsa një prej specialistëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të paraqitet në gjykatë për të marrë vendimin për 5 studentët. Kjo do të jetë një pikë kyçe, pasi, sipas këtij vendimi kreu i minibashkisë duhej të kishte regjistruar studentët, të cilët kishin paraqitur kërkesë. Kjo është shfrytëzuar nga demokratët, që kanë këmbëngulur në penalizimin e Përparim Bodinakut. Gjithashtu, në këto dy ditë do të pritet dhe përgjigjja e dekanëve, që kanë të dhëna mbi kërkesat e 1400 studentëve për regjistrim. Në zonën elektorale, ku është duke u zhvilluar debati, kandidatët kryesorë janë Anastas Angjeli i PS-së, Ylli Pango i PD-së, Edmond Panariti i LSI-së dhe Rudi Erebara për LZHK-në.

500 qendra votimi në ambiente private

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar që 500 qendra votimi të vendosen në lokale apo mjedise private. Shkak është bërë fakti se shumë mjedise shtetërore janë cilësuar të papërshtatshme për të zhvilluar procesin e votimit apo të numërimit të votave. KQZ ka pranuar dhe qiratë e propozuara për sa kohë që ambientet do të jenë të zëna prej procesit që do të mbahet më 3 korrik. Në të gjithë vendin janë 4763 qendra votimi. Procesi i votimeve do të nisë në orën 7 të mëngjesit dhe do të përfundojë në orën 19 të mbasdites. Menjëherë pasi dhe personi i fundit në radhë të votojë, anëtarët e QV, do të plotësojnë formularët dhe do të dorëzojnë kutitë e votimit dhe materialet e tjera në Komisionet Zgjedhore Zonale. Këto komisione do të numërojnë fletët e votimit për të shpallur dhe rezultatin e zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›