Protesta, bllokohet rruga Kukës-Morin
Pretendimet për pronësinë kanë shtyrë një fshatar të Morinit të bllokojë një pjesë të rrugës ende të papërfunduar, që lidh Kukësin me pikën kufitare të Morinit. Udhëtarët e ditëve të fundit mund të kenë vënë re se në një pjesë të rrugës, disa qindra metra larg pikës kufitare, dikush ka vendosur gurë deri në mes të rrugës, për të penguar lëvizjen. Personi që ka bërë këtë gjë është Rexhep Syla, 61 vjeç. Ai proteston në këtë mënyrë për të kërkuar të drejtën e pronës mbi tokën, ku kalon një pjesë e rrugës së re "të Kombit". Rexhep Syla kërkon dëmshpërblim për një pjesë të tokës së vet në autostradë, por për të i kërkohen dokumente sipas ligjit 7501. Edhe dje paradite ai kishte bllokuar me gurë një pjesë të autostradës, përkatësisht një korsi, pasi siç u shpreh vetë, "udhëtarët kanë halle dhe nuk bën të pengohen totalisht". Një korsi ai e bllokon si shenjë proteste që qeveria ta dëgjojë kërkesën e tij. Rexhepi ka një histori krejt të veçantë dhe tragjike, që vlen me këtë rast të shpaloset shkurtimisht.
Një tragjedi familjare e shkaktuar nga pushteti komunist në fshatin Morin të Kukësit fle e pakallur që nga viti 1948, më shumë se gjashtë dekada. Ngjarja nisi në kohën kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë së asaj kohe u ftohën dhe për këtë, nga masat e para që ndërmori shteti komunist i Shqipërisë ishte sigurisht forcimi i kufirit. Këto masa në atë kohë, pra "forcimi i kufirit", ishin marrë si shpejt e shpejt dhe, si repart ushtarak do të shërbente pikërisht shtëpia e Hamzi Sylës. Fati "i keq" i familjarëve ishte se shtëpia kishte qëlluar shumë afër vijës së kufirit dhe ishte gjykuar, ashtu shpejt e shpejt, si më e përshtatshmja për një repart ushtarak të improvizuar. Në atë shtëpi jetonin Hamzi, tashmë një burrë i moshuar me gruan e vet (gruaja e tretë). Ai kishte pasur dy vajza me një nga gratë e para, ndërsa priste një fëmijë tjetër, pikërisht në vjeshtën e vitit 1948, me gruan e fundit, me të cilën jetonte.
Në tetor të vitit 1948, pushteti i asaj kohe nxjerr me forcë familjen nga banesa dhe e sistemojnë në bodrum, në banesën e një fshatari. Hamzi pas dy javësh sëmuret rëndë dhe e dërgojnë në spitalin e Kukësit, nga ku nuk merr asnjë shpresë për të jetuar. Kështu, atë e tërheq e bija e martuar në Bicaj, ku disa ditë më vonë vdes dhe varroset në varrezat e këtij fshati. Dy muaj pas vdekjes së Hamzit, lind djali i vetëm i tij, Rexhepi. Në ato rrethana skandaloze sëmuret edhe nëna lehonë, Gjyle Syla, të cilën pushteti i asaj kohe, duke qenë se ajo protestonte hapur duke bërtitur në dyert e zyrtarëve, e shpalli të çmendur. Ajo kërkonte shtëpinë e vet, mirëpo e dërguan në Vlorë në spitalin psikiatrik, ku edhe vdiq pak vite më pas.
I ndodhur në mes katër rrugëve në moshën 2-3 vjeçare, Rexhepi strehohet nga daja i vet, Vehbi Muja, nga fshati Oçikël, sot në përbërje të Komunës Zapod. Atje martohet dhe jeton sot e kësaj dite me gruan dhe katër fëmijët. Vetëm pas viteve 1990 ai nisi të kërkojë pa pengesa identitetin e vet, gjeti varrin e babait në Bicaj, kërkoi më kot për të gjetur varrin e nënës në Vlorë, dhe filloi përpjekjet për kthim në fshatin Morin, por kullat e babait të tij tashmë janë kthyer në grumbuj gurësh.
Në Morin ai është ende "i ndaluar". Nuk i njihet asnjë pëllëmbë tokë ku mund të ngrejë shtëpinë, ku mund të sistemojë eshtrat e babait dhe të nënës, nëse i gjen ndonjëherë. Ka dokumente të viteve ‘50 të pronësisë së të atit mbi tokën, por ai thotë se asnjë zyrë në Kukës nuk i njeh.
Ai me bllokimin e njërit aks të autostradës synon të tërheqë vëmendjen e qeverisë, pasi mendon se ligji 7501 po e merr më qafë dhe qeveria mundet që në rastin e tij të gjejë një zgjidhje. Por Rexhepi nuk gjen mbështetje te njerëzit e tjerë. I vetmuar në rrugë, po aq sa edhe i nervozuar, gjen arsye për të lënë të lirë njërin aks të autostradës. "Jam njeri i vuajtur, ka ndoshta urgjenca të ndryshme dhe nuk më kanë faj kalimtarët", thotë.