E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia dyshon për vjedhje brenda familjes

Bastiset në mesnatë banesa e pronarit të një pike shumice në qendër të qytetit të Lushnjës. Mësohet se shuma e grabitur është rreth 6 milionë lekë, që pronari i mbante në një kasafortë të sigurisë të lartë. Policia, pas denoncimit të vjedhjes, ka shoqëruar për në mjediset e komisariatit shumë persona, por dyshon se në vjedhje mund të jetë i përfshirë ndonjë prej familjarëve të të dëmtuarit. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se ngjarja është denoncuar nga i dëmtuari Syrja Sinani, banor në lagjen "Xhevdet Nepravishta" në qytetin e Lushnjës. Burimet zyrtare të policisë lokale sqarojnë për "Shqip" se në një prej dhomave të banesës, Syrja Sinani kishte vendosur një kasafortë dhe çelësin e mbante poshtë jastëkut që flinte. Mëngjesin e djeshëm ai i është drejtuar kasafortës për të tërhequr shumën që i nevojitej për të nisur aktivitetin e përditshëm tregtar, por ka konstatuar se ajo ishte bosh, në të nuk ndodhej asnjë kartëmonedhë. I alarmuar ai ka shkuar ka denoncuar në polici, e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje. Mësohet se pas këqyrjes së banesës së Sinanit është gjetur gjurma e një personi të vetëm, i cili dyshohet se mund të ketë kryer vjedhjen. Po ashtu deklarohet se policia ka shoqëruar shumë të dyshuar në mjediset e komisariatit për t‘i pyetur, ndërkohë që një nga pistat e hetimit është ajo e vjedhjes së lekëve nga një prej familjarëve të tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›