Rruga e Arbrit dëmton linjën elektrike
Punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, në segmentin Krajkë- Ura e Çerenecit, kanë shkaktuar dëmtime në linjën elektrike të tensionit të lartë, duke lënë pa energji për orë të tëra fshatrat përreth. Të paktën katër fshatra, Sofroçan, Krajkë, Zall-Strikçan dhe Sopot, prej ditësh vazhdojnë të vuajnë mungesën e energjisë, për shkak të ndërprerjeve nga rikonstruksioni i rrugës. Banorë të këtyre zonave konfirmojnë për "Shqip" se jo vetëm gjatë orëve të ditës, por edhe gjatë natës ka probleme në furnizimin me energji. Sipas kontratës së nënshkruar midis firmës tenderuese dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve Tiranë, afati i përfundimit të këtyre punimeve ka qenë data 4 dhjetor e vitit të kaluar, por edhe pse kanë kaluar tetë muaj nga ky afat, ende firma nuk ka realizuar punimet. Kjo shkelje e afateve nuk është shoqëruar me asnjë lloj penalizmi nga autoriteti kontraktor. Burime nga filiali elektrik i rrethit bëjnë me dije se si rezultat i rikonstruksionit të rrugës, duhen bërë ndërhyrje në dy linjat e tensionit të lartë, 6 mijë dhe 110 mijë kilovolt. Banorë të fshatrave të prekur nga dëmtimi i linjës elektrike thonë se prej ditësh vuajnë mungesën e energjisë, ndërkohë që askush nuk përgjigjet se kur do të marrë fund kjo gjendje.