Sekretet e Uikiliks “zbulojnë” sërish Shqipërinë, dosja me Greqinë
Shfaqet sërish Shqipëria në dokumentet e Uikiliks (Wikileaks). Por, kësaj radhe nuk flitet për një informacion dosido, siç ishte ai për aksidentin në sektorin e naftës, por flitet për dosjet “sekrete” që kanë të bëjnë me raportet e Greqisë me Shqipërinë. Mediat e vendit fqinj kanë njoftuar se së shpejti pritet të dalin dokumente që kanë prapaskenat e marrëdhënieve diplomatike mes vendit tonë dhe Greqisë. Sipas tyre, burime pranë Ministrisë së Jashtme të Greqisë kanë përcjellë informacione që ambasadori helen në Uashington ka paralajmëruar ministrin e Jashtëm grek, Drucas për rrjedhjen e këtyre dokumenteve të cilësuara si të klasifikuara. Dokumentet pritet të nxjerrin në pah fakte tronditëse në lidhje me marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës, për rolin e Greqisë në jug të Shqipërisë dhe për Paktin e ndarjes së ujërave detare, i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese para disa muajsh.
Në dokumente përfshihen edhe dosjet sekrete të marrëdhënieve mes Greqisë dhe disa shteteve të tjera. Ndërkohë, Ministri i Jashtëm grek, Drucas ka kërkuar sqarime se si kanë përfunduar në duart e SHBA-së informacione të klasifikuara si “top secret” nga qeveria greke. Pak ditë pas publikimit në internet të dosjes sekrete në sajtin e Uikiliks, me pronar Julian Asange, u gjetën informacione edhe për Shqipërinë. Në to flitej për një incident që ndodhi në sektorin e naftës në Patos-Marinzë, ku pati rënie zjarri pa pasoja të mëdha. Në dokumentet e publikuar në këtë faqe interneti flitej për një atentat terrorist. Dalja e sekreteve të luftës së SHBA-ve në Irak dhe Afganistan në botën virtuale shkaktoi reagime të ashpra në mbarë botën. Megjithë kërkesat e vazhdueshme të Pentagonit për të mos nxjerrë informacione të tjera pasi vihej në rrezik jeta e shumë personave, botuesi on line vazhdoi nxjerrjen e dokumenteve sekrete.
29 Nentor 2010