Xhamia e Tiranës, “mollë sherri” mes Berishës dhe Ramës
Eljona Ballhysa
Ndërtimi i xhamisë së madhe në Tiranë, premtim ky i bërë pak kohë më parë nga kryetari i Bashkisë, Edi Rama, duket se është kthye në “mollë sherri” mes tij dhe kryeministrit Berisha. Pas deklaratës së Ramës ditën e Bajramit, se Bashkia do të ndërtojë xhaminë e re në kryeqytet, reaguan menjëherë përfaqësues të qeverisë, të cilët e akuzuan Ramën si bllokues të këtij projekti. Ndërsa gjatë ditës së djeshme, kreu i qeverisë ka afruar rreth vetes përfaqësues të lartë të Komunitetit Mysliman Shqiptar, të cilëve u ka garantuar se qeveria do të mbështesë projektin për ndërtimin xhamisë së re në kryeqytet. Ai e ka akuzuar Ramën se ka bllokuar ngaherë ndërtimin e xhamisë në Tiranë. Berisha zhvilloi dje një takim me kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça.
Takimi
Gjatë këtij takimi, sipas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Muça, e njohu kryeministrin me nismën për ndërtimin e një xhamie të re në Tiranë, por duke shprehur skepticizmin e Komunitetit për realizimin e këtij projekti, Muça kërkoi mbështetjen e kryeministrit për realizimin e një xhamie në Tiranë. Kryeministri Berisha, duke bërë të qartë qëndrimin institucional ndaj Komunitetit Mysliman, e siguroi kryetarin e këtij komuniteti për mbështetjen që qeveria shqiptare i jep dhe do t’i japë këtij komuniteti si në çeljen e universitetit, ashtu dhe në ndërtimin e objekteve të kultit. “Në takim u përmend fakti që premtimi për ndërtimin e një xhamie në Tiranë ka qenë bërë edhe 5 vjet më parë nga Bashkia e Tiranës, por ky premtim nuk është mbajtur asnjëherë, pasi kjo nuk ka qenë dëshira reale e kryetarit të Bashkisë së Tiranë për ta ndërtuar atë. Edhe në atë rast, Komuniteti Mysliman konstatoi mashtrimin e z. Rama për ndërtimin e këtij objekti. Në fakt, Tirana është i vetmi qytet që në këto vite nuk i ka krijuar aksesin e duhur Komunitetit Mysliman në ndërtimin e një objekti kulti. Bashkia e Tiranës po e përdor këtë premtim vetëm për qëllime elektorale, në prag të zgjedhjeve lokale, por nuk ka vullnet real në ndërtimin e saj”, - njofton zyra e shtypit pranë Kryeministrisë për bisedën e zhvilluar mes kryeministrit Berisha dhe kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça. Në përfundim të takimit mësohet se kryeministri Berisha i ka siguruar përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman si për mbështetjen e plotë të qeverisë për çeljen e universitetit, ashtu dhe për ndërtimin e objekteve të nevojshme të kultit, duke konsideruar që mbështetja e komuniteteve fetare është një qëndrim konsistent i qeverisë.
Bashkia
Vetëm pak ditë më parë, pikërisht me rastin e festës së Kurban Bajramit, më 16 nëntor, kryebashkiaku Edi Rama bëri të ditur se Bashkia ka gati planin për ndërtimin e xhamisë së re të kryeqytetit. Në një konferencë për mediat, Rama theksoi se me ndërtimin e xhamisë së re do të plotësohet vendi i munguar në kuadër të bashkëjetesës fetare. “Kemi gati planin e punës për realizimin e xhamisë së re të kryeqytetit. Ky qytet duhet ta ruajë dhe ta promovojë tolerancën si një shembull që na takon ta përcjellim brez pas brezi”, - u shpreh Rama. Kryebashkiaku theksoi se për xhaminë e re është përcaktuar sipërfaqja e nevojshme në qendër të Tiranës, bazuar në planin rregullues. Xhamia e re në Tiranë është kërkuar prej vitesh nga besimtarët myslimanë për shkak të mungesës së ambienteve për të kryer ritet fetare. “Shpresoj me gjithë zemër që nga bashkëpunimi ynë të lindë një xhami e re, që të jetë brenda aspiratave dhe dëshirave të komunitetit”, - përfundoi Rama.
Beqaj: “Berisha, përgjegjës për përmbytjet në Shkodër”
Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj, e ka akuzuar dje kryeministrin Berisha për përmbytjet e shkaktuara në qytetin e Shkodrës dhe fshatrat përreth saj. “Këto përmbytje, që janë kthyer në një dështim të turpshëm të qeverisë ‘Berisha’, janë prova më e qartë se shqiptarët qeverisen nga një pushtet që di vetëm të vjedhë, të bëjë propagandë, por që mbytet në një pikë ujë kur vjen puna për të zgjidhur problemet e njerëzve. Vjet, Sali Berisha, me paturpësinë më të madhe ia vuri fajin hënës blu, shirave që bien një herë në 100 vjet. Akuzoi opozitën se përhapte panik e madje bëri me faj edhe vetë Perëndinë për vërshimet masive, vetëm e vetëm për të larguar përgjegjësinë nga vetja. Por këto justifikime nuk pinë më ujë”, - është shprehur Beqaj. Ai kërkoi që kreu i qeverisë të dalë publikisht dhe të pranojë se ka dështuar dhe se nuk mori asnjë masë për të parandaluar përmbytjet e sivjetshme. “Sot Sali Berisha duhet të dalë publikisht e të pranojë se ka dështuar, duke i lënë banorët e Shkodrës në mëshirën e motit. Berisha dështoi sepse për një vit qeveria e tij nuk mori asnjë masë për të parandaluar përmbytjet. Berisha dështoi t’i sigurojë banorët e Shkodrës sepse ai nuk vuri dorë në argjinatura, hidrovore e kanalizime as në qershor, as në korrik, as në gusht. Jo vetëm kaq, por Sali Berisha duhet t’u shpjegojë banorëve të Shkodrës dhe shqiptarëve se përse në vend që të ndërtonte argjinaturat dhe të riparonte hidrovoret e kanalizimet, shkurtoi me 90% fondin e buxhetit për argjinaturat. Për këtë përmbytje, ashtu si për përmbytjen e vjetshme apo përmbytjet që do të vuajë Shkodra sa të jetë në pushtet qeveria ‘Berisha’, nuk është faji i hënës blu apo i Perëndisë. Fajtori i vetëm për këtë situatë absurde që përsëritet çdo vit është një dhe një i vetëm. Ai quhet Sali Berisha dhe banorët e Shkodrës janë viktimat e dështimit të tij të radhës”, - është shprehur Beqaj.
Balla: “Meta ka shkelur ligjin për konfliktin e interesit”
Deputeti socialist, Taulant Balla, edhe gjatë ditës së djeshme ka vazhduar me akuzat drejtuar zëvendëskryeministrit, njëkohësisht kryetar i LSI-së, Ilir Meta. Së fundi Balla e ka akuzuar Metën për shkelje të ligjit për konfliktin e interesit. Kjo për faktin se ai ka firmosur në vitin 2001 ndërtimin e një fshati turistik në gjirin e Lalzit, ku ka marrë për vete një vilë super luksoze. “Ilir Meta ka një vilë super luksoze në gjirin e Lalzit, brenda një fshati turistik, prej 12 hektarësh. Projekti i këtij kompleksi turistik është miratuar me Vendimin Nr. 10, dt. 19.10.2001 të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë dhe mban firmën e kryeministrit të asaj kohe, Ilir Meta. Pra, Ilir Meta ka firmosur vendimin për ndërtimin e fshatit turistik brenda të cilit ndodhet vila e tij super luksoze, që vlen 500 mijë euro. Shqipëria ka një ligj ‘Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike’. Edhe sipas këtij ligji, Ilir Meta duhet të bëjë detyrimisht transparente kontratën e blerjes së kësaj prone. Sepse ky ligj nuk i lejon atij asnjë formë favorizimi në çmim dhe as dhurim, por vetëm blerje me çmimin real të tregut. Duke ripërsëritur kërkesën tonë për Prokurorinë, për të hetuar fshehjen në deklarimin e pasurisë të dy pronave me vlerë 1.7 milionë euro, sot i kërkojmë këtij institucioni të hetojnë edhe konfliktin e interesit që ka Ilir Meta, nëse kjo pronë ka kaluar në zotërimin e tij përmes dhurimit apo favorizimit në çmim”, - është shprehur Balla, ndërsa i ka kërkuar edhe Inspektoratit të Ndërtimit të kontrollojë respektimin e lejes së ndërtimit për vilën e Ilir Metës.
1 Dhjetor 2010