E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i PS-së: Mocioni me debat për Topallin dhe statusin, para datës 23 dhjetor



Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste pritet të kërkojë gjatë seancës së sotme parlamentare mbajtjen sa më parë të seancës-mocion me debat për rolin e Parlamentit në vendimin negativ për statusin e vendit kandidat në BE. Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që seanca e mocionit me debat të zhvillohet më 23 dhjetor, por kjo datë nuk pranohet nga socialistët. Burime nga Grupi Parlamentar i PS-së kanë bërë të ditur se në seancën e sotme do të kërkojnë që seanca me debat të zhvillohet sa më parë.
Sipas socialistëve, data 23 është përcaktuar për dy arsye; e para ka të bëjë me tërheqjen e vëmendjes që do të kishte në kohë ky debat dhe, e dyta, pasi socialistët kanë paralajmëruar se menjëherë pas kësaj do të nisin procedurat për shkarkimin e kryeparlamentares.
Gjatë seancës së sotme parlamentare pritet diskutimi nen për nen i buxhetit të shtetit për vitin 2011.
Mocioni
Socialistët kanë depozituar pak kohë më parë kërkesën për zhvillimin e një mocioni me debat me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kjo kërkesë e PS-së për mocion nxitet nga opinioni i Komisionit Europian për Shqipërinë, ku një ndër kritikat më të forta ishte mosfunksionimi i Kuvendit të Shqipërisë dhe keqpërdorimi i postit të kryetarit të Kuvendit. Më tej, në kërkesën e PS-së shkruhet se kryetarja e Kuvendit ka politizuar votën mbi emërimet e Presidentit të Republikës në Gjykatën Kushtetuese. Sipas selisë rozë, Kuvendi i Shqipërisë ka humbur funksionin e tij si institucion i pavarur, për më tepër shkel Kushtetutën dhe Rregulloren nën presionin e Ekzekutivit.
“Me vullnet të plotë politik për të kontribuuar në zgjidhjen e krizës që ka mbërthyer vendin dhe për t’i hapur rrugë përshpejtimit të integrimit në BE; duke vlerësuar me seriozitet maksimal konkluzionet e opinionit të KE-së të datës 9 nëntor 2010 mbi mospërmbushjen e objektivave nga qeveria e Republikës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat; duke mbështetur pas asnjë ekuivok kritikat e KE-së për qeverinë shqiptare për punën e dobët të saj në hartimin dhe zbatimin e ligjeve, për mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për politizimin e votës mbi emërimet e Presidentit të Republikës në Gjykatën Kushtetuese, për gjuetinë politike mbi nëpunësit me status civil, për kapacitetet e pamjaftueshme ligjbërëse dhe administrative në ministritë”, - shkruhet në krye të kërkesës së Partisë Socialiste të depozituar dje në Kuvend për zhvillimin e një seance mocioni me debat me kryetaren e Kuvendit. Më tej socialistët shprehin shqetësimin për korrupsionin galopant që ka përfshirë vendin dhe për situatën e rëndë në të cilën ndodhet Kuvendi i Shqipërisë, që sipas tyre, nuk po kryen rolin e tij kushtetues. “Duke dënuar fuqimisht korrupsionin galopant të përhapur në çdo qelizë të qeverisë dhe presionin politik që ushtron qeveria për pengimin e rasteve të hetimit, ndjekjes penale dhe dënimit të rasteve të nivelit të lartë; duke u shqetësuar seriozisht për situatën e rëndë në Kuvendin e Shqipërisë, që ka humbur funksionin e tij si institucion i pavarur që shkel Kushtetutën dhe Rregulloren nën presionin e Ekzekutivit, që pengon sistematikisht kontrollin parlamentar mbi Ekzekutivin, që përfshirja e grupeve të interesit në seancat parlamentare pengohet dhe kufizohet; që pozicioni i kryetari të Kuvendit është i keqpërdorur; në pritje që qeveria dhe maxhoranca, siç edhe kërkohet në opinionin e KE-së, të tregojnë gatishmëri kompromisi mbi propozimet e PS-së për tejkalimin e ngërçit politik. Grupi Parlamentar i PS-së, mbështetur në nenin 98 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, paraqet këtë mocion dhe kërkon zhvillimin e debatit për të gjitha çështjet e rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe miratimin e një rezolute bashkëlidhur këtij mocioni”, - shkruhet në kërkesën e PS-së.

Topi takohet me Presidentin Gyl: Intensifikim të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve

Gjatë qëndrimit të tij në Astana të Kazakistanit, ku po zhvillon punimet Samiti i krerëve të shteteve të OSBE-së, Presidenti Topi ka zhvilluar një takim me Presidentin e Turqisë, Abdullah Gyl. Gjatë bisedës dy presidentët kanë vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, ndërsa kanë vënë theksin në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Presidenti i Republikës së Shqipërisë shprehu besimin në thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve tona, duke nënvizuar nevojën për rritjen e shkëmbimeve tregtare, si dhe për intensifikimin e investimeve të kompanive prestigjioze turke në sektorë kyç, si energjia e telekomunikacioni. Më tej, kryetari i shtetit u përqendrua në mënyrë të veçantë në atmosferën optimiste të krijuar në vend pas vendimit të Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Presidenti Topi theksoi se “shteti shqiptar po bën përpjekjet maksimale në drejtim të informimit dhe ndërgjegjësimit të popullsisë për të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga përmbyllja me sukses e procesit të liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian dhe ne besojmë se qytetarët shqiptarë do të jenë dinjitozë dhe do të dëshmojnë vlerat e tyre më të mira në këtë përballje të re me familjen europiane”. Nga ana e tij, presidenti turk, Gyl, e përgëzoi presidentin Topi për një arritje tepër të rëndësishme për vendin, siç është liberalizimi i vizave me Bashkimin Europian, e cila ka ardhur pas suksesit të arritur me anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Presidenti Gyl theksoi se “liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë na mbush me kënaqësi dhe është një hap shumë pozitiv përpara, që do t’ju ofrojë mundësi edhe më të mëdha bashkëpunimi në fushën ekonomike-tregtare si dhe rritjen e numrit të investitorëve”. Të dy presidentët, pasi shkëmbyen pikëpamje dhe mendime edhe për situatën në rajon, ku theksuan rëndësinë e rritjes së numrit të vendeve që do të njohin pavarësinë e Kosovës.

Haxhinasto takon ministrin Lidington, merr mbështetjen e Britanisë për integrimin

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, u takua dje me ministrin e Mbretërisë së Bashkuar për Europën, Dejvid Lidington, gjatë punimeve të Samitit të krerëve të shtetit dhe qeverive të OSBE-së, që po zhvillohet në Astana, Kazakistan. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe shprehën gatishmërinë për t’i thelluar më tej ato në fushat me interes të ndërsjellë. Ministri Lidington shprehu mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe vazhdimin e procesit të zgjerimit, si dhe vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon. Gjatë qëndrimit të tij në Kazakistan, Haxhinasto u takua me homologen e tij të Zvicrës, Micheline Calmy-Rey. Biseda u përqendrua te ecuria e marrëdhënieve dypalëshe, duke përfshirë dialogun politik dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike. Dy ministrat ranë dakord për nënshkrimin e një Memorandumi Bashkëpunimi mes Ministrive të Punëve të Jashtme, si dhe për institucionalizimin e takimeve në nivel ekspertësh. Ministri Haxhinasto nënvizoi rëndësinë e rritjes së investimeve zvicerane në vendin tonë, duke evidentuar faktin se tashmë Shqipëria ka një klimë ekonomike shumë të favorshme dhe ofron mundësi të larmishme për thithjen e kapitalit të huaj. Të dy homologët theksuan rëndësinë e rritjes së investimeve zvicerane dhe shprehën mbështetjen për gazsjellësin “Trans-Adriatic Pipeline”, si një projekt madhor dhe i një rëndësie të veçantë. Po kështu ministri Haxhinasto zhvilloi një takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, të cilit i ripërsëriti vullnetin e qeverisë së Shqipërisë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Norvegjinë, duke intensifikuar dialogun politik dhe plotësuar kuadrin ligjor në fushën e bashkëpunimit ekonomik.

2 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›