E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukan: “Propozimi i opozitës për zgjidhjen e krizës, një hap pranë kompromisit”



Eljona Ballhysa
Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan, ka shprehur mbështetje dje për ofertën e fundit të Partisë Socialiste për t’i dhënë fund krizës politike në vend. Kukan është shprehur se oferta e PS-së është një hap larg kompromisit, ndërsa është shprehur optimist se politika shqiptare, pavarësisht tejzgjatjes së krizës, do të dijë të gjejë një zgjidhje për të. Eduard Kukan i bëri këto deklarata pas një takimi që pati në fokus të drejtat e njeriut në vendet e Ballkanit Perëndimor. Aty u theksua se problemet e mprehta që ekzistojnë ende në këtë drejtim të vlerësohen në vazhdimësi, si një kriter politik për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian.
Qëndrimi
“Kriza politike në Shqipëri vazhdon tashmë prej shumë kohësh. Sigurisht që unë jam vërtet i shqetësuar dhe shpresoj se kjo krizë politike të marrë fund sa më parë. Përsa i përket propozimit të opozitës, unë këtë e shoh si një hap përpara në drejtimin e duhur dhe shpresoj se ky do të shërbejë për të gjetur zgjidhjen, sepse kjo do ta ndihmojë edhe Shqipërinë. Unë shpresoj dhe jam optimist se politikanët shqiptarë janë tashmë të përgjegjshëm për këtë situatë dhe unë jam këtë herë pak më shumë optimist se kriza do të zgjidhet”, - është shprehur Kukan për situatën në Shqipëri.
Deklarata e tij vjen pas qëndrimit të mbajtur nga komisioneri europian për Zgjerimin, Sheftan Fyle. Edhe Fyle pak kohë më parë përshëndeti iniciativën e Partisë Socialiste për hetimin vetëm të materialeve zgjedhore, pa përfshirë fletët e votimit. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënesja e kmisionerit Fyle, Angela Filote, u shpreh se komisioneri po ndjek me kujdes situatën në Shqipëri. “Ne po ndjekim me shumë vëmendje zhvillimet e fundit. Ngërçi politik, siç u theksua në vlerësimin që publikuam më 9 nëntor, është problemi kryesor për Shqipërinë që pengoi përqendrimin e përpjekjeve për të bërë reformat e domosdoshme të vendit, si për qytetarët e saj, ashtu dhe për integrimin europian. Jemi të shqetësuar nga zhvillimet e fundit dhe komisioneri Fyle mirëpret si tryezën e fundit mbi reformën elektorale që u organizua në Shqipëri, ashtu dhe iniciativën e liderit socialist të premten që shkoi. Ne shpresojmë se kjo do të shihet si një mundësi që nuk duhet humbur nga të dyja palët. Shumica qeverisëse dhe opozita duhet të angazhohen dhe të punojnë bashkë, në mënyrë të tillë që një zgjidhje përfundimtare dhe afatgjatë të gjendet, duke i dhënë fund ngërçit politik që ka penguar deri tani Shqipërinë që të ndjekë plotësisht perspektivën e saj europiane”, - tha Angela Filote.

Opozita vijon protestat në Lushnjë, Rama: “Beteja jonë, e pandalshme”

Opozita vijon protestat kundër qeverisë, nën sloganin “Saliu dështoi, transparencë”. Gjatë ditës së djeshme Opozita e Bashkuar u ndal në qytetin e Lushnjës. Në këtë protestë ishin të pranishëm: kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, si dhe deputetë të tjerë socialistë të rrethit të Lushnjës. Gjatë fjalës së tij përpara të pranishmëve, kreu socialist Edi Rama nënvizoi bindjen e opozitës për të vazhduar betejën, për atë që socialistët e quajnë luftë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, varfërisë dhe krizës totale. “Berisha dështoi, duhet të largohet. Fëmijët tanë s’meritojnë këtë vend. Beteja jonë është e pandalshme”, - theksoi Rama. Ndërsa përmendi problemet thelbësore me të cilat, sipas tij po përballen sot shqiptarët, kryesocialisti u shpreh se “kryeministri ka marrë peng demokracinë dhe po mbyt ekonominë e vendit”.
Opozita rinisi protestat nga Elbasani më 26 nëntor, ndërsa dhe u ndal në Lushnjë. Më pas, sipas një përcaktimi ende të pazyrtarizuar, do të jetë fundjavën që vjen Pogradeci që do të presë Opozitën e Bashkuar. Më datë 6 dhjetor është menduar një tubim në Durrës, ndërsa më 21 dhjetor, në Fier.
Deri në fund të këtij muaji mësohet se do të zhvillohen protesta pothuaj në të gjitha qytetet kryesore të vendit, por ende nuk janë fiksuar datat konkrete. Ndërsa përsa i përket Tiranës, data e protestës do të diskutohet në ditët në vijim, ose mund të mbetet për në muajin janar, pas Vitit të Ri.

Kume: “Kodi Zgjedhor, të ndryshojë formula e ndarjes së mandateve”

Ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kristaq Kume, ka propozuar dje që në ndryshimet që pritet t’i bëhen Kodit Zgjedhor të ndryshojë dhe formula e ndarjes së mandateve për anëtarë të këshillave bashkiakë. Sipas Kumes, nëse do të mbetet formula aktuale, partitë e vogla rrezikojnë ekzistencën e tyre. Sipas ish-kryetarit të Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të mandatuarit të partive dhe shoqërisë civile për të bërë ndryshimet në Kod, Kume, me këto mënyra llogaritjeje, vota për një parti të vogël brenda koalicionit vlen më pak se për partinë e madhe dhe akoma më pak për një parti të vogël që nuk është pjesë e tij. “Partitë e vogla eliminohen si rezultat i zbatimit të formulave të ndryshme në ndarjen e vendeve midis koalicioneve brenda. Zbatimi i këtyre dy formulave të ndryshme brenda së njëjtës njësi zgjedhore, komunë ose bashki, bën që vota të mos ketë të njëjtën fuqi, të mos jetë e barabartë. Duhet të rishikohet formula sipas së cilës duhet të ndahen mandatet për këshillat bashkiakë dhe komunalë”, - tha Kume.
Po ashtu, urgjente, ish-kryetari i KQZ-së sheh dhe ndryshimin e nenit të Kodit që ka të bëjë me regjistrimin e koalicioneve. “Në qoftë se një parti politike, në një njësi të caktuar, që të garojë në kuadër të një koalicioni, ajo është e detyruar që të garojë e tillë në të gjitha njësitë vendore, në të gjitha komunat dhe bashkitë, gjë që për mendimin tim duhet të rishikohet”, - tha Kume. Në pritje që politika të gjejë konsensus, Kume është në krye të grupit që po harton ndryshimet teknike në Kodin Zgjedhor.

Topi e Haxhinasto, së bashku në Samitin e krerëve të shteteve të OSBE-së

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar, në përbërjen e të cilit është dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, u nis dje për në Kazakistan, ku do të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të OSBE-së, që do të zhvillohet në datat 1-2 dhjetor në kryeqytetin e këtij shteti, Astana.
Samiti i Astanës organizohet nën drejtimin e Kryesisë kazake të OSBE-së. Delegacionet e disa prej aktorëve kryesorë në OSBE: Franca, Gjermania, Italia, Norvegjia, Turqia etj., do të përfaqësohen në këtë samit në nivel presidentësh dhe kryeministrash. Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të përfaqësohen nga sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, ndërsa delegacioni i Federatës Ruse do të kryesohet nga presidenti Dimitri Medvedev. Në Samit pritet që të jenë të pranishëm edhe Presidenti i Këshillit Europian, zoti Herman van Rompui dhe Presidenti i Komisionit Europian, Hose Barroso. Presidenti Topi do t’u drejtohet punimeve të këtij samiti me një fjalim dhe pritet që kryetari i shtetit shqiptar të takohet me homologët e tij pjesëmarrës në këtë samit: me presidentin e vendit mikpritës, Kazakistanit, Nursultan Nazarbajev, me presidentin turk, Gyl dhe me presidentin hungarez, Shmit. Ky samit, si veprimtaria më e rëndësishme e OSBE-së, pritet t’u japë një impuls të rëndësishëm aktiviteteve të kësaj organizate në të ardhmen, në fushat kryesore të mandatit të saj. Delegacioni shqiptar në Samit do të paraqesë vizionin e Shqipërisë për të ardhmen e OSBE-së, rolin e saj në konsolidimin e sigurisë europiane, si dhe kontributin e Shqipërisë në këtë drejtim. Programi i vizitës së ministrit Haxhinasto parashikon një sërë takimesh dypalëshe me homologë të vendeve anëtare dhe partnere të OSBE-së. Takimet do të përqendrohen në thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe në ecurinë e proceseve integruese të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

1 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›