E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë e vogla kërkojnë ndryshim të sistemit zgjedhor dhe ulje të pragut



Eljona Ballhysa
Partitë e vogla parlamentare dhe joparlamentare kërkojnë kryesisht ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe uljen e pragut elektoral. Ndërsa e cilësojnë të papranueshëm Kodin aktual Zgjedhor për të cilin shprehen se solli zhdukjen e partive të vogla në Parlamentin e Shqipërisë, përfaqësuesit e këtyre partive bien dakord për dy pika kryesore në ndryshimin e Kodit. Sipas shumicës së kryetarëve të partive të vogla, duhet të ndryshojë sistemi zgjedhor nga proporcional rajonal, që është aktualisht, në proporcional kombëtar. Ndërsa pragu elektoral të ulet në 3.5, ose 3%. Kërkesat e këtyre partive duket se mbështeten dhe nga përfaqësues të shoqërisë civile, kryesisht nga ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, i cili ka bërë një përmbledhje të propozimeve kryesore të ndryshimeve në Kod.
Propozimet
Duke iu referuar edhe situatës së krijuar pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, një kërkesë kryesore për ndryshimin e Kodit Zgjedhor është që të parashikohet e drejta e partive për të rinumëruar votat. Pra, përfaqësuesit politikë kërkojnë që në Kodin Zgjedhor të përcaktohet që në rast se ndonjë parti politike ka dyshime për manipulim të votave, të ketë rinumërim të tyre duke bërë transparencën e procesit zgjedhor. Dhe në rast se gjendet sikur dhe një votë e vjedhur, të bëhet një përcaktim ligjor, që komisioneri të dënohet me disa vite burg, dhe jo vetëm me gjobë monetare. Sipas politikanëve, vetëm në rast se dënimi është ekstrem, atëherë asnjë komisioner nuk do të guxojë të prekë votën. Një tjetër propozim për ndryshimin e Kodit është që të ndryshohen dispozitat në lidhje me përsëritjen e zgjedhjeve në një zonë zgjedhore.
Përfaqësuesit e partive të vogla vënë theksin edhe te financimi i fushatave zgjedhore, duke i bërë thirrje qeverisë që të mos ketë ndarje të padrejtë të fondeve publike për partitë politike. Shumica e propozimeve dhe pakënaqësive të partive të vogla lidhet kryesisht me procesin e administrimit të zgjedhjeve. Kështu, ata kërkojnë që partitë të mos lejohen që të zëvendësojnë në mënyrë arbitrare anëtarët e komisioneve të nivelit të ulët. Duhet të ketë mekanizma të efektshëm për të plotësuar vendet vakante në administratën zgjedhore, në rast se partitë nuk ushtrojnë të drejtën e tyre për të bërë emërime brenda afateve të caktuara. Të zhvillohen trajnime të vazhdueshme të administratës zgjedhore. Një tjetër kërkesë e rëndësishme që vjen nga disa parti politike, kryesisht të vogla, që nuk janë të përfaqësuara në komisionet zgjedhore dhe në ato të numërimit të votave me komisionerët e tyre, është që administrata zgjedhore të përbëhet nga nëpunës të shërbimit civil. Pra, komisionerët të jenë të pavarur dhe të mos jenë përfaqësues të partive politike. Po kështu, përfaqësuesit e partive të vogla mbështesin edhe rekomandimet e bëra në raportin e OSBE/ODHIR-it, siç është kërkesa për të bërë përmirësime ligjore për të zvogëluar hapësirat e presionit mbi punonjësit e sektorit publik, apo qytetarët e tjerë, për të marrë pjesë në aktivitete të fushatës. “Ndërtimi i mekanizmave institucionalë me qëllim që të monitorojnë keqpërdorimin e mundshëm të burimeve të administratës për qëllime fushate, si dhe përdorimin e aktiviteteve zyrtare për fushatë. Përmirësimi i dispozitave ligjore për të bërë të mundur pasqyrimin e balancuar në media të aktiviteteve zgjedhore. Përmirësim i dispozitave për të zvogëluar fenomenin e votimit në grup. Rregullimi i dispozitës për të bërë realisht të mundur kuotën e përfaqësimit të grave. Rritjen e pjesëmarrjes së grave në komisionet zgjedhore”, - janë disa nga rekomandimet e OSBE-së të mbështetura dhe nga partitë politike shqiptare.

Reforma zgjedhore, Ristani: “Të rritet numri i qendrave të votimit”

Përveç partive të vogla, edhe Komisioni Qendror Zgjedhor është duke përgatitur një draft me propozime për reformën zgjedhore. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, ka bërë të ditur pak kohë më parë se drafti i KQZ-së do t’i dorëzohet së shpejti Kuvendit për shqyrtim. KQZ-ja parashikon në draftin e saj rritjen e numrit të qendrave të numërimit të votave. “Shtimi i numrit të qendrave ku numërohet, pra nga 66 qendra numërimi do të duhet të jenë më shumë, që të përshpejtohet procesi i numërimit. Duhen bërë ndryshime të atilla në Kod që të pengonin politikat bllokuese të forcave politike, të cilat marrin pjesë në zgjedhje. Partitë politike kanë një akses të pakufizuar dhe një mundësi të pakufizuar që t’i ndryshojnë komisionerët deri në momentin e fundit, gjë që ka sjellë si pasojë futjen në proceset zgjedhore të njerëzve të patrajnuar. Kjo mund të pengohet me një ndryshim të thjeshtë ligjor”, - është shprehur Ristani. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mendon se votimi elektronik në këtë rast për zgjedhjet lokale të muajit maj të vitit 2011 është një projekt i realizueshëm. “Është e mundur në rast se fillon urgjent diskutimi dhe arrihet konsensusi midis forcave politike. Janë të mundshme për t’u bërë, por dhe këto kërkojnë ndryshime ligjore, të cilat duhen shoqëruar me një konsensus të gjerë të forcave politike. Pra ato duhet të bihen dakord për t’u bërë dhe e mira do të ishte që dakordësia e tyre të ndodhte sa më shpejt të jetë e mundur, sepse janë procese që duan kohë fizike të gjatë për t’u implementuar dhe ndërkohë fillon numërimi mbrapsht drejt ditës së zgjedhjeve”, - është shprehur Ristani.

Apeli
Presidenca belge e BE-së bën thirrje për respektimin e afateve të udhëtimit pa viza

Pak ditë para se lëvizja pa viza drejt Europës të fillojë, Melchior Uathelet, ministri belg për Emigracionin, vendi i të cilit ka dhe presidencën e radhës së BE-së, i kujton Shqipërisë se ndodhet ende në monitorim. Ai u bën thirrje shtetasve shqiptarë që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë afatet e qëndrimit në zonën “Shengen” pa vizë. “Fushata informative duhet të vazhdojë atje, kurse ne do ta ndjekim me kujdes heqjen e vizave në mënyrë që çdo gjë të shkojë mirë. Autoritetet shqiptare duhet ta informojnë siç duhet popullatën, por, nga ana tjetër, qytetarët duhet ta kuptojnë mirë se çfarë është ky liberalizim vizash”, - tha Uathelet. Ministri belg për Emigracionin tërheq vëmendjen për të bërë kujdes me të drejtën e fituar. “Tani është radha e Shqipërisë dhe e shqiptarëve për të bërë të njëjtën gjë, të respektojnë këtë pakt mes nesh. Kjo do të thotë që njerëzit të mos vijnë në Europë për të abuzuar, për të kërkuar azil apo për të punuar, për të rënë viktimë e atyre që thonë hajdeni se atje ka para, strehim, punë etj. Nëse do të ketë njerëz që do ta përdorin heqjen e vizave për këtë qëllim, ata duhet ta dinë më parë se do të kthehen në vendin e tyre”, - tha Uathelet.
Më 15 dhjetor pritet që kufijtë e Bashkimit Europian të hapen për qytetarët shqiptarë që disponojnë një pasaportë biometrike. Ata mund të qëndrojnë për 3 muaj në territorin europian, periudhe gjatë së cilës nuk mund të punojnë, studiojnë ose të kërkojnë azil.

30 Nentor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›