Gjykatësit e komanduar, pafajësi Delijorgjit
TIRANE - Kur çështja “Delijorgji” mbërriti në Apelin e Durrësit pas dënimit penal me 100 milionë lekë të vjetra gjobë dhe detyrimin për të dëmshpërblyer doganat me 1 milion euro, të gjithë gjyqtarët e këtij institucioni hoqën dorë nga gjykimi njëri pas tjetrit, duke pretenduar se kishin gjykuar më parë vendime të Shkallës së Parë për këtë të pandehur apo çështje të tjera të tij, si dhe kërkesat e shumta të mbrojtjes për heqjen e masës së sigurisë. E ndodhur në këtë situatë, KLD-ja u detyrua të delegonte nga Tirana tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak: Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo. Këta pasi e shqyrtuan çështjen në ngarkim të Delijorgjit, vendosën të pushonin gjykimin me argumentet se nuk ekzistonte vepra penale, ndërsa për pasojë rrëzuan edhe padinë civile të Doganave në ngarkim të kreut të “Përparimi”, duke e nxjerrë pa lagur atë. Tashmë çështja e Delijorgjit ndodhet në Gjykatën e Lartë. Menjëherë pas katastrofës së Gërdecit, që shkaktoi 26 të vdekur dhe rreth 300 të plagosur, për të cilën Delijorgji ndodhet në qeli, KLD-ja urdhëroi inspektoratin për të kontrolluar në Gjykatën e Apelit Durrës dosjet e këtij biznesmeni, pasi pafajësia që iu dha aty në 27 dhjetor 2007, i hapi rrugën për të lidhur kontratën e Gërdecit me ndërmarrjen MEICO. fa.ma.