KLD shkarkon gjykatësit e Delijorgjit
Fatos Mahmutaj
Tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak që i dhanë pafajësi Delijorgjit u thanë dje “lamtumirë” togave të zeza. Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi të shkarkojë nga detyra gjyqtarët Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo, duke i akuzuar ata se kanë kryer shkelje të rënda të dispozitave urdhëruese procedurale në gjykimin e çështjes penale dhe padisë civile ndaj të pandehurit Mihal Delijorgji. Shqyrtimi i kërkesës së ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor për tre gjyqtarët që kanë gjykuar të komanduar në Durrës në dhjetor të vitit të kaluar ishte paraqitur në KLD rreth dy muaj më parë, por që kishte mbetur pa u shqyrtuar, pasi nuk ishte futur në rendin e ditës të disa mbledhjeve radhazi. Në mbledhjen e parafundit, e cila u zhvillua në Peshkopi, ishte e pamundur të shqyrtohej procedimi disiplinor për tre gjyqtarët e çështjes “Delijorgji”, duke detyruar Këshillin ta shtynte këtë mbledhje për paraditen e djeshme. Ministri i Drejtësisë kërkoi shkarkimin e tre gjykatësve, duke u mbështetur në një raport kontrolli të inspektoratit të KLD-së, menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit. Pas kësaj tre gjyqtarët, njëri pas tjetrit, së bashku me avokatët e tyre dhanë shpjegime para Këshillit, duke argumentuar vendimin e tyre të pafajësisë së Delijorgjit, i cili në fakt është shpallur vetëm pak minuta para se Delijorgji të lidhte kontratën fitimprurëse të Gërdecit. Sipas KLD-së, “pastrimi” i dëshmisë së penalitetit i hapi rrugë kreut të “Alba-Demil” sh.a. dhe “Përparimi” sh.a. për të nënshkruar me MEICO-n, demontimin e predhave të artilerisë në ambientet e ish-repartit ushtarak në Gërdec, në të cilin kishte vendosur disa pajisje artizanale demontimi. Mihal Delijorgji, ortaku i vetëm i kompanisë së skrapit “Përparimi”, u arrestua në prill të vitit 2004 nën akuzën e evazionit fiskal, ndërsa më 5 maj të atij viti ai u lirua kundrejt garancisë pasurore 1 milion USD. Në seancën e gjykimit të 15 korrikut 2005, Gjykata e Durrësit rrëzon kërkesën e avokatit mbrojtës për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “garanci pasurore” në “detyrim paraqitjeje”. Por atë që nuk e lejoi Gjykata e Shkallës së Parë, e bëri Apeli. Kjo gjykatë me vendim numër 48 të datës 2 shtator 2005, ndryshoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe pranon kërkesën e mbrojtjes së Delijorgjit për zëvendësimin e masës së sigurisë, duke zhbllokuar në këtë mënyrë shumën që shënoi të parën garanci pasurore në atë vlerë të bllokuar ndonjëherë në Shqipëri. Më vonë, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, pasi e gjeti fajtor Delijorgjin për kryerjen e dy veprave penale, e dënoi me 100 milionë lekë të vjetra gjobë, ndërsa pranoi padinë civile të Drejtorisë së Doganës së Durrësit për dëmshpërblimin nga Delijorgji të një shume prej 122.668.851 lekë të reja, si pasojë e dëmit që kishte shkaktuar nëpërmjet kontrabandës dhe falsifikimit të formularëve doganorë gjatë kalimit të skrapit. Pas kësaj Delijorgji dhe mbrojtësit e tij e ankimuan këtë vendim në Apel, duke pretenduar pafajësinë. Nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu deklaroi dje pas mbledhjes se “në përfundim të procedimit disiplinor, Këshilli me shumicë të cilësuar të anëtarëve të pranishëm, evidentoi shkelje të ligjit procedural penal nga kolegji gjyqësor i përbërë nga gjyqtarët Shaqir Gradica, Ylli Minka, dhe Naum Pejo, e në mënyrë të veçantë të nenit 68, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas kësaj dispozite, kur ndaj të pandehurit vendoset pushimi i çështjes penale, padia civile në procesin penal lihet e pashqyrtuar”.
te shkarkuarit
Shaqir Gradica
Ylli Minka
Naum Pejo
Ish-gjyqtarë të Apelit Ushtarak
Akuza
Shkelje të rënda të dispozitave
ligjore në gjykimin ndaj Mihal Delijorgjit