Telefoni i përgjuar për trafik armësh në emër të 72-vjeçares
TIRANE - E moshuara 72-vjeçare as që e mendonte që dy djemtë e panjohur që i morën pasaportën për pak minuta, kishin regjistruar në emrin e saj një numër telefoni që u përgjua për disa muaj në një hetim për trafik armësh. Duke i bërë ballë viteve mbi supe dhe frazave juridike të një salle gjyqi, Mereme Qiriqi dha dje dëshminë e saj në gjyqin kundër katër të akuzuarve për trafik armësh në Gjykatën për Krimet e Rënda. E thirrur në cilësinë e dëshmitares, ajo tregoi para gjykatës se nuk dinte se si ka përfunduar numri i telefonit të regjistruar në emër të saj në duart e Blerim e Flamur Mehaj, Bajram Çelepisë dhe Ismail Gjolekës, të arrestuarve në janar të këtij viti nga operacioni policor “Parashuta”. Sipas Prokurorisë, kanë qenë përgjimet e bisedave nga ky numër telefoni ato me të cilat akuza provon implikimin e të arrestuarve në trafik armësh. Mereme Qiriqi, ish-vjehrra e Ismail Gjolekës, njërit prej të pandehurve, ka mohuar çdo komunikim me të pandehurin që prej disa vjetësh kur vajza e saj ishte divorcuar prej tij. “Unë isha duke marrë pensionin kur m’u afruan dy persona që nuk i njihja. Ata me kërkuan pasaportën dhe unë ua dhashë”, tha ajo në dëshminë e saj. Gjithashtu 72-vjeçarja saktësoi se, “më thanë që nuk do të ma vononin dhe ashtu bënë. Pas rreth 10 minutash ma kthyen. Nuk di se çfarë bënë me të”. Para gjykatës e moshuara pohoi se ajo as nuk ka pasur ndonjëherë numër telefoni dhe as nuk di të përdorë një të tillë. Në seancën e djeshme janë thirrur për të dëshmuar edhe vëllai, ish-gruaja dhe vajza e të pandehurit Gjoleka, si edhe vëllai i të pandehurit Mehaj, të cilët në bazë të të drejtës për dëshmi ndaj familjarëve nuk kanë pranuar të dëshmojnë. Arrestimi i Blerim dhe Flamur Mehajt u krye në janar të këtij viti në zonën e Bushatit në Shkodër. Në momentin e arrestimit policia u sekuestroi atyre 35 copë granata dore, 35 ndezës granatash, katër granata kundra tank të prodhimit kinez, si dhe 80 mijë lekë të reja. Arrestimi i tyre u bë në flagrancë nga një blerje e inskenuar e një agjenti të infiltruar të policisë. Pak ditë më vonë janë arrestuar edhe të pandehurit Bajram Çelepija dhe Ismail Gjoleka. Sipas Prokurorisë, municionet e trafikuara në bashkëpunim e kishin destinacionin jashtë kufijve shtetërorë. ar.ba