Mjekët e ORL-së: Ne nuk e kemi firmosur raportin mjekësor që fajëson Hoxhallarin
Mjekët e ORL-së kanë përjashtuar mundësinë e firmosjes së raportit mjekësor që fajëson mjekun Hoxhallari, i cili akuzohet si shkaktar për vdekjen e 17-vjeçares Matilda Petriti. Kryetarja e Shoqatës së Otorino-Laringologëve, Marina Sulçebe, deklaroi se specialistët e ORL-së nuk kanë firmosur asnjë raport ku të jetë bërë me faj mjeku Xhevahir Hoxhallari. Ndërkohë që rezultatet e ekspertizës kanë fajësuar mjekun e ORL-së për ndërhyrje dhe mjekim të gabuar gjatë operacionit të kryer në bajame për rastin e 17-vjeçares. “Me kërkesën e avokateve të Hoxhallarit ne kemi bërë një mbledhje urgjente dhe kemi përgatitur edhe një relacion konkret për rastin e Matildës”, - shprehet Sulçebe.
Ndërkohë që 12 mjekë të këtij shërbimi i kanë dërguar një raport prokurorisë, ku kundërshtojnë ekspertizën mjeko-ligjore për mënyrën e kryerjes së operacionit. Është kërkuar që në ekspertizë të marrin pjesë edhe mjekë të ORL-së, pasi janë më specifikë për rastin përkatës. Sipas mjekes Sulçebe, kërkesa është kundërshtuar pasi nga mjekësia ligjore është marrë përgjigjja se ekspertët janë. Mjekët kanë kërkuar që autoritetet e Drejtësisë të dalin me një vendim përfundimtar për t’i dhënë të drejtë Hoxhallarit apo ta kundërshtojnë atë, nëse rezulton se ka faj.
4 Nentor 2008