E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria bën plane për menaxhimin e ujërave

Përfaqësues të shtatë dikastereve të Qeverisë së Republikës së Kosovë përfshirë edhe Zyrën e Kryeministrit, mbajtën të martën mbledhjen e parë ndërministrore për menaxhimin e ujërave, në të cilin vendosën që të nxjerrin politika të nevojshme për mbrojtjen dhe menaxhimin e ujërave të vendit.

Në hapje të këtij takimi, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Grupi Ndërministror do të marrë përsipër përgjegjësitë për përmirësimin e situatës në sektorin e ujërave, përmes zhvillimit të politikave sektoriale dhe planeve të veprimit të bazuara në praktika më të mira.

Grupi Ndërministror për Ujërat, do të jetë një entitet për grumbullimin dhe vlerësimin e përvojave pozitive në sektorin e ujërave, eliminimin e pengesave si dhe koordinimin e bashkëpunimit mes Qeverisë dhe donatorëve. Për më tepër, ky trup do të sigurojë një platformë për zhvillimin e politikave për reformimin e sektorit të ujërave duke pas parasysh perspektivat e ndryshme, nga shfrytëzuesit e ujërave deri tek ofruesit e shërbimeve, tha kryesuesi i Grupit, Hajredin Kuçi.

Grupi Ndërministror për Ujërat, po ashtu do të zhvillojë dhe miratojë politikat e duhura për të siguruar qëndrueshmërinë e reformave dhe investimeve në sektorin e ujërave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›