E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komision hetimor në RTK

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e ka dërguar për në seancë plenare, kërkesën e deputetit Arsim Rexhepi të mbështetur edhe nga disa ligjvënës të tjerë, për formimin e një komisioni hetimor për gjendjen në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), duke ia lënë në përgjegjësi ligjvënësve që të vendosin për formimin apo jo të këtij komisioni.

Vendimin e Kryesisë së Legjislativit e konfirmoi para mediave kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili tha se Kryesia nuk ka as edhe një të drejtë kushtetuese që ta sanksionojë të drejtën e ndonjë deputeti, siç është në këtë rast, kërkesa e deputetit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arsim Rexhepi.

Ky i fundit ka kërkuar nga Legjislativi që të formohet një komision i veçantë parlamentar për të hetuar shpenzimet buxhetore të RTK-së gjatë periudhës së fundit. Deputeti Rexhepi në vazhdimësi ka kritikuar mediumin e vetëm publik të Kosovës për keqmenaxhim.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot ka caktuar rendin e ditës për seancën e ardhshme plenare e caktuar për 29 tetor. Kjo seancë, sipas Krasniqi, kryesisht do të jetë pjesë legjislative, në të cilën do të shqyrtohen në parim nëntë projektligje, në mesin e tyre dhe ai për Mërgatën.

Kryeparlamentari Krasniqi, ndërkaq u deklarua edhe për Raportin e fundit të Komisionit Evropian (KE), të cilin e vlerësoi shumë real sa i përket vlerësimit të punës së Kuvendit, ndërsa tha se në ndonjërën nga seancat plenare do të debatohet për të mangësitë e evidentuara nga KE.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›