E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riidentifikohen eshtrat e dy dëshmorëve

Zyra për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore (ZPZHML) e EULEX-it, zhvarrosi të martën eshtrat e dy dëshmorëve, Bajram e Enver Kastrati, nga varrezat e dëshmorëve në Polac të Skenderajt, me qëllim të riidentifikimit të tyre përmes metodës së ADN-së, pasi që familjarët kishin dyshime mbi identifikimin e tyre të bërë në vitin 1999 vetëm nëpërmes rrobave.

"Zhvarrosja bëhet me kërkesë të familjes Kastrati nga Polluzha me qëllim të riidentifikimit në bazë të metodës së ADN-së, për ti hequr dyshimet, pasi që identifikimi i tyre në vitin 1999 ishte bërë vetëm në bazë të rrobave", tha Valerie Brasey, zyrtare në ZPZHML, në misionin e EULEX-it. Familjarët e dëshmorëve thanë se prej gjetjes së viktimave, të cilat forcat serbe pas vrasjes i kishin varrosur afër fabrikës së gjuetisë dhe municionit në Skenderaj, kishin dyshime dhe për këtë kishin bërë kërkesë për riidentifikim.

Kemi dashur ti heqim dyshimet, për këtë edhe kemi kërkuar që ata të zhvarrosen dhe identifikimi të kryhet me metodën e ADN-së, sepse atëherë ishte konstatuar identiteti i tyre vetëm në bazë të rrobave dhe gjësendeve tjera të cilat ishin të dëmtuara", tha Shefqet Kastrati, vëllai i dëshmorëve.

Zyra për persona të pagjetur në Skenderaj, "Pengu i Lirisë", pohon se kërkesa të tilla për zhvarrim ka mjaft nga familjarët e viktimave, sidomos nga Rezalla, Polluzha dhe Shtutica.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›