Gjykohet serbi i fundit në Hagë, dëshmon Surroi
Në Gjykatën Ndërkombëtare për krimet e luftës të kryera në ish-Jugosllavi ka nisur procesi i gjykimit të fundit të një serbi të akuzuar për spastrim etnik kundër shqiptarëve. Para jurisë së Hagës ka dalë dje ish-gjenerali serb, Vlastimir Gjorgjeviç, akuzat kundër të cilit i përkasin periudhës gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. Prokurori Chester Stamp e akuzoi Gjorgjeviçin, se ka marrë pjesë në fushatën e “spastrimit etnik” të shqiptarëve të Kosovës në periudhën janar-qershor 1999. Ai akuzohet për vrasjen e qindra shqiptarëve dhe për deportimin e 800,000 të tjerëve nga Kosova në vitin 1999. Gjorgjeviç, ishte këshilltar i afërt i ish-presidentit të ndjerë jugosllav, Slobodan Miloseviç që vdiq në vitin 2006, ndërsa ishte në paraburgim në Hagë. Ai nuk i pranon akuzat për deportim, vrasje dhe persekutim. Sipas aktakuzës, ai ishte pjesëtar i një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që synonte dëbimin e shumicës shqiptare të Kosovës për të siguruar vazhdimin e kontrollit të territorit nga Serbia. Gjorgjeviç u arrestua në Mal të Zi në qershor 2007, pas afro katër vjet arratie dhe është deklaruar i pafajshëm. Një nga dëshmitarët kundër tij do të jetë Veton Surroi. Ai do të paraqitet si dëshmitar i parë në hapjen e procesit i ftuar nga Prokuroria e Hagës për të dëshmuar në favor të vërtetimit të akuzës. Në dëshmi Surroi ka për qëllim përshkrimin e kontekstit politik, në të cilin janë kryer krimet, për të cilat ngarkohet i akuzuari.