E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama, mesazh botës arabe: SHBA s’është armiku juaj

 

“Ne do t’i drejtohemi me respekt botës myslimane”, kështu siguroi Barak Obama gjatë intervistës së tij të parë zyrtare si president i Shteteve të Bashkuara, për të cilën jo rastësisht zgjodhi një televizion satelitor arab. Obama ka nisur kështu projektin e tij për riparimin e marrëdhënieve me botën islame, që u shkatërruan gjatë administratës së mëparshme. Në intervistë Obama ka cituar rrënjët e tij dhe kushërinjtë myslimanë, gjë që konsiderohej një çështje tabu për t’u diskutuar gjatë fushatës elektorale presidenciale. “Një nga qëllimet e mia kryesore është t’u komunikoj myslimanëve se “amerikanët nuk janë armiku juaj”. Intervista në kanalin Al-Arabiya me bazë në Dubai u transmetua ndërsa në Lindjen e Mesme sapo ishte dërguar përfaqësuesi i SHBA-së, Xhorxh Mitçell, i cili të martën ishte në Egjipt për një vizitë dhe më pas pritet të qëndrojë në Izrael, në Bregun Perëndimor, Jordani, Turqi dhe Arabi Saudite. Obama pranoi gabimet e SHBA-së në të kaluarën tha se “Nuk ka asnjë arsye pse të mos riparojmë marrëdhëniet e mira dhe respektin reciprok me myslimanët, që i kemi pasur 20 apo 30 vite më parë”. Bota myslimane ka pasur një ndërprerje kategorike të marrëdhënieve të mira me SHBA-në sidomos gjatë presidencës së Xhorxh Bush, i cili nisi luftën në Irak dhe Afganistan që shkaktoi një qëndrim të gjerë antiislam në mbarë botën. Për këtë arsye në Arabi nuk kanë qenë mjaft entuziastë mbi zgjedhjen e Obamës, ashtu siç ishte e gjithë bota, por njerëzit preferojnë të presin e të shohin punën e tij, nëse politika me vendet e Lindjes do të ndryshojë ndjeshëm apo jo. Në intervistë, Obama bëri thirrje për një partneritet të ri me botën myslimane “bazuar në respekt dhe interesa reciproke”. Ai tregoi se si ishte rritur në Indonezi, vendi më i pasur me myslimanë në botë. Babai i Obamës, nga Kenia lindi mysliman, edhe pse deklarohej ateist dhe shumë nga kushërinjtë e tij në Kenia janë myslimanë. Ky apel duket se ka ndikuar te myslimanët, të cilët e përshkruan atë si një president ndryshe nga gjithë të tjerët që kanë dëgjuar më parë. Pjesa më e madhe e intervistës së Obamës ishte e fokusuar në konfliktin Izrael-Palestinë, i cili është një nga çështjet më të rëndësishme për t’u zgjidhur në rajonin e mbushur me armiqësi. Obama tha se ishte shumë e rëndësishme të merrej angazhimi i duhur në Lindjen e Mesme, duke përmendur për zgjidhjen e tij, Mitçell. “Ajo që i kam thënë është të fillojë duke dëgjuar, sepse shpesh herë SHBA nis negociatat duke diktuar”, tha Obama në intervistë. Presidenti i ri përsëriti  angazhimin e Shteteve të Bashkuara për Izraelin si aleat dhe të drejtën e tij për të mbrojtur veten. Por tha gjithashtu se, si Izraelin ashtu edhe Palestinën i presin zgjedhje të vështira për të bërë. Obama ka deklaruar në intervistë edhe gatishmërinë që të bisedojë me Iranin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bërthamore. Ai tha se administrata e tij do të përgatisë kornizat për një hap të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›