E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyla: “Me Shirokin kualifikimin e mbyllim në Tiranë”

Pas kryerjes së fazës përgatitore në Pogradec gjendja e skuadrës së Partizanit duket më se optimale për të përballuar sfidën e parë ndërkombëtare, pas një mungese njëvjecare.
"Jemi përgatitur me shumë seriozitet. Nga ana tjetër besoj se dhe kundërshtari ynë është i të njëjtit nivel dhe do ta kalojmë patjetër", - thotë mesfushori lushnjar Viktor Gjyla, para nisjes drejt Bosnjës, në kuadër të takimit të parë të të turit të parë eliminator të Kupës UEFA kundër Shirokit Brijeg (te enjten, 17 korrik, ora 20:15)
Nënkampionia e Bosnjës, ashtu si Partizani në Shqipëri, është një nga skuadrat më të forta të Bosnjës, dhe po të kujtojmë se para dy sezonesh ka eliminuar Teutën, po në Kupën UEFA.
"Në letër nuk ka skuadra të lehta, pasi futbolli në të dy vendet është i përafërt. Ne do të bëjmë më të mirën tonë, për të marrë një rezultat pozitiv në takimin e parë, e për t'i mbyllur llogaritë në ndeshjen e kthimit në Tiranë", - thotë 26-vjecari, i cili më parë është aktivizuar me Lushnjën e Egnatian e Rrogozhinës.
Gjyla, i cili ka debutuar në Kategorinë Superiore, më 28 tetor 2004, është në sezonin e tij të tretë te Partizani, teksa në kampionatin fundit realizoi 3 gola.
Partizanit i janë larguar disa lojtarë titullarë në raport me skuadrën që mbylli sezonin e siguroi një vend në Kupën UEFA. "A do të kemi më shumë vështirësi? Kanë ikur katër lojtarë, por kanë ardhur po kaq të tillë, të cilët do të japin më të mirën e tyre", - përfundon Gjyla, duke iu referuar Ngjelës, Larti, Shametajt e Shalës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›