Të enjten zbardhen kalendarët futbollistikë

Më shumë show se sport. Kjo është mënyra e re e hedhjes së shortit të sezoninit futbollistik 2008-2009. Vendi është i denjë për veprimtaritë e mëdha. Pallati i Kongreseve.
Federata Shqiptare e Futbollit, ditën e enjte, 17 korrik (ora 12:00), do të zbulojë të gjitha kalendaret e kategorive futbollistike, duke filluar nga Kategoria Superiore e deri te kategoria e dytë.
Kampionati i 70-të Kombëtar i futbollit për Kategorinë Superiore do të nisë, më 24 gusht.
FSHF-ja bëri të ditur se ndeshja e Superkupës së Shqipërisë, ajo midis kampiones Dinamo e fitueses së Kupës, Vllaznisë, do të luhet më 17 gusht 2008. Fituesja e fundit e Superkupës është Tirana, që mundi në finale Besën e Kavajës.
Janë përcaktuar edhe fillimet e kampionateve të inferioreve: Kategoria e Parë do të nisë, më 30 gusht, ndërsa Kategoria e Dytë, më 13 shtator.