E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zuleta i bindur: “Luajmë për të fituar”

"Të luash në Ligën e Kampioneve është e bukur dhe të fitosh është edhe më e bukur. Janë të tre rezultatet. Ne jemi duke punuar për më të mirën, për të fituar. E kam thënë edhe më parë se skuadra nuk është në 100 përqindëshin e saj, por unë kam mendimin se do të dalim mirë". Kjo ishte deklarata e parë në konferencën për shtyp e trajnerit argjentinas të Dinamos, Marselo Havier Zuleta në prag të sfidës të Ligës së Kampioneve kundër kampiones së Bosnjë-Hercegovinës, Modrica.
Dinamo do të përballet të martën në "Qemal Stafa" (ora 20:00) kundër serbo-boshnjakëve të Modricës, në sfidën e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Kampioneve, me synimin për të fituar në shtëpi e shpresuar në kualifikim, ashtu sic bëri edhe në vitin 2002 kundër lituanezëve të Kaunasit, në ballafaqimin e fundit në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klubet.
"Isha duke parë disa videokaseta të kundërshtarëve. Kanë disa lojtarë mangët dhe nuk i di përforcimet që ata kanë bërë. Edhe at e dinë se ne kemi disa lojtarë që na kanë ikur, nga grupi që kanë dalë kampion. Lojtarët tanë janë mirë nga ana fizike dhe nuk kemi asnjë futbollist të dëmtuar dhe kjo e bën më të lehtë vendimin për të përcaktuar titullarët për ndeshjen e nesërme", - shtoi trajneri i gjashtë i huaj i Dinamos në pesë vitet e fundit.
Dinamo ka kaluar një situatë jo të mirë kohët e fundit, kur janë larguar Kotori e Kuli, por trajnerin nuk e shqetëson aspak kjo situatë. "Nuk kemi asnjë problem", - u shpreh 44-vjecari në mënyrë kategorike, i cili më parë ka drejtuar kombëtaren e Nikaraguas.
Zuleta, trajneri i tretë argjentinas i ulur në stolin blu pas Pedro Paskulit e Ramon Kabreros e nis aventurën në drejtimin e një klubi shqiptar me një ndeshje në Ligën e Kampioneve.
"Nuk është shumë normale, por të gjitha ndeshjet janë të vështira, qofshin këto për kampionatet vendase apo ato ndërkombëtare. Para një ndeshje të tillë kënaqësia ime është maksimale. Kemi një grup të mirë lojtarësh, kemi punuar shumë dhe besoj se do të bëjmë një ndeshje të mirë. Ka disa gjëra për t'u riparuar, por besoj se do të dalim mirë. Nuk mendoj se do të humbim".
Formacioni i Dinamos është ende i paqartë, kur me grupin blu priten të bashkohen edhe dy lojtarë të huaj dhe disave nuk u ka ardhur ende certifikata e transferimit ndërkombëtar.
"Ende nuk e kam vendosur ekipin që do të luaj. Duhet të pres edhe sot për problemin e certifikatave të transferimit. Besoj se nesër do t'i kem ato. I vetmi problem për t'u diskutuar është cështja e portierit. Gjithsesi, për lojtarët e tjerë kemi alternativa rezervë".
Zuleta, i cili zëvendësoi në mënyrë të papritur trajnerin kampion Ilir Daja, thotë se Dinamo ka një repart shumë të mirë në mbrojtje. "Ekipi e ka përmirësuar shumë punën në drejtimin taktiko-tenkik e në mesfushë, kemi një organizim të mirë lojës".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›