E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gjynah për Maldinin dhe Ançelotin!"

"100 për qind". E pyesin Ançelotin se sa për qind ndien ai se mund të qëndrojë te Milani dhe ai s‘le jashtë as 1.0 përqindëshin e Murinjos. Por ajo mbi të ardhmen e tij, është një lojë përgjigjesh gjysmake dhe vështrimesh me buzë në gaz. Ia bëjnë pyetjet në anglisht dhe ai përgjigjet si diplomat: "Përgjigjja mbi të ardhmen time është dhjetëra ditë, apo një vit, e parakohshme..."

E pra, Çelsi apo Milan? "Nuk kam folur kurrë me Çelsin. E bëra vitin që shkoi, por jo këtë vit. E kuptoj që të gjithë duan të dinë si përfundon libri, thotë trajneri kuqezi, por gjërat janë të qarta për mua, po kështu edhe për klubin. Madje koincidojnë dhe nuk ka sekrete. Nuk shoh fare mjegull, jam unë që mundohem të krijoj nga pak tym, sepse u lodha shumë duke folur mbi këtë gjë. Kur të bëhen mirë llogaritë, do të mblidhemi me klubin dhe do të gjejmë një zgjidhje. Rrugët do të jenë gjithmonë bashkë, pse jo?". A po përgatiteni për të përshëndetur tifozët? "Absolutisht jo, unë jam trajneri i Milanit deri në qershor 2010, por jam gati për çdo ndryshim". Është zënë si në grackë, por nuk e jep veten: "S‘kam asnjë çështje të hapur me Çelsin dhe paratë nuk janë objektivi im parësor. Te Milani s‘kam kërkuar kurrë as njëmijë lireta rritje rroge. S‘më ka shkuar kurrë ndër mend, paratë janë të rëndësishme për vlerësimin e aftësive, por prioriteti qëndron kur ti i zgjedh para aftësive". E takuat Berluskonin? "S‘kam pasur fare kontakte me të". Mbase Berluskonin e ka bezdisur ai takimi i dikurshëm me Abramoviç... "S‘besoj, meqë unë e lajmërova klubin". Si pasardhës të Ançelotit, shikoni më mirë Tasotin, Leonardon apo Van Basten? "Nuk jam personi i duhur për të zgjedhur pasardhësin tim të mundshëm". Skuadra dëshiron që të qëndrojë... "Një klub i madh nuk ua vë veshin lojtarëve... Nuk janë fjalët e tyre ato që vendosin mbi strategjinë që do të ndjekë klubi". Gazetarët anglezë e pyesin nëse e ka mësuar gjuhën e tyre: "Po, por më duket se s‘kam një mësues të mirë... Studioj anglisht prej dy vjetësh. ‘Tëo years‘... Sepse kur shkoja me pushime bezdisesha nga fakti që kisha vështirësi me gjuhën. Ama nuk kam qenë kurrë me pushime në Angli".

Mbi të ardhmen e trajnerit të Milanit, foli edhe Silvio Berluskoni, duke qartësuar se një vendim do të merret në fund të kampionatit: "Me Karlon kemi një marrëdhënie stime dhe respekti,- u shpreh kryemilanisti në ‘Sky Sport 24‘ në fund të sezonit do ulemi rreth një tryeze dhe do të vlerësojmë mundësitë duke marrë një vendim të kënaqshëm për të dy". Por Berluskoni foli më shumë mbi Maldinin: "Them se të gjithë te Milani duhet të fillojnë të gëlltisin faktin që ai s‘do të jetë më. Unë e kam si djalin tim, më i madhi qëkur jam te Milani. Ka cilësi për t‘u bërë trajner i madh, por nuk e di se ç‘dëshiron të bëjë kur të mbyllë karrierën". Presidenti i këshillit, Silvio Berluskoni, mbërriti në San Siro për garën ndaj Romës, ndeshja e fundit e Paolo Maldinit përballë tifozëve të pikëlluar. Një gazetari që e pyeste mbi ndeshjen e lamtumirës të kapitenit të Milanit, ai iu përgjigj: "Gjynah". Po për Ançelotin? "Njëlloj".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›