E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyq të shkurtuar dy "vrasësve"

 

TIRANE - Albana Zenelaj dhe Petrit Lazaj, dy të akuzuarit për vrasjen e durrsakut Gëzim Shullani pranuan dje fajësinë dhe kërkuan aplikimin e gjykimit të shkurtuar në procesin në ngarkim të tyre. Duke treguar ngjarjen e 4 marsit të këtij viti, Zenelaj e cila prostituonte në kryeqytet, pohoi se e kishte joshur berberin nga Durrësi duke i ofruar seks, ndërsa Lazaj e kishte qëlluar me një hekur në kokë. Ngjarja sipas tyre ka ndodhur në orët e vona të natës në Rrugën e Durrësit, në një rrugicë pas ish-ambasadës jugosllave, ku u gjet nga kalimtarët trupi i pajetë i viktimës 36 vjeç. Pas rrëfimit të dy autorët, me precedentë të mëparshëm penale, pranuan fajësinë dhe u shprehën të penduar. Seanca e ardhshme, në të cilën është caktuar që Prokuroria të paraqesë konkluzionet përfundimtare, do të jetë pas dy javësh.                                     f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›