Tani media gjermane krenohet edhe me... Altin Lalën
“Altin Lala ndal Ibrahimoviçin”. Kështu shkruhej në të përditshmen gjermane “Bild”, ku i thureshin elozhe kapitenit të Shqipërisë për paraqitjen që bëri të shtunën përballë Suedisë. “Ibrahimoviç është lojtari më i paguar në botë, por nuk mund ta kalojë dot Altin Lalën. Një sukses i madh për futbollistin e Hanoverit, i cili kundër Suedisë dhe Ibrës, që fiton 12 milionë euro në vit të Interi, ka arritur një barazim 0-0 në ndeshjen që është luajtur të shtunën në Tiranë”, vijonte më tej shkrimi i prestigjiozes gjermane “Bild”. Kapiteni i Shqipërisë është një nga idhujt e tifozerisë së Hanoverit dhe padyshim një ndër mesfushorët më të mirë në rolin e tij në Bundesligën 1. “Trajneri dhe tifozët e Hanoverit mund të jenë të qetë në mesfushë, sepse kanë ende një luftëtar të vërtetë në skuadër. Lala tregoi të shtunën se vitet që mban mbi shpatulla nuk përbëjnë problem për të dhe se është ende një lider te Shqipëria, ku prej më shumë se një viti mban edhe shiritin e kapitenit”, shkruhej në gazetën gjermane. Mesfushori shtatshkurtër i Shqipërisë njihet për karakterin e tij impulsiv, por edhe për grintën që shfaq në fushën e lojës. Ai luan prej 10 sezonesh te skuadra e Hanoverit dhe ky është një rekord për një futbollist shqiptar që luan jashtë vendit të tij. Lala është gjithashtu lojtari me më tepër eksperiencë në Bundesligën 1, sepse pas largimit të portierit gjerman, Oliver Khan, nga futbolli, është aktualisht lojtari me më shumë ndeshje të luajtura në Bundesligën 1 gjermane, pasi ka luajtur deri tani 267 takime në kampionatin gjerman.