Xheloz për 14-vjeçaren, tenton ta vrasë me të dashurin
TIRANE - Një i mitur 15-vjeçar tentoi dje të vrasë dy persona por ndërhyrja e banorëve të zonës në Allias dhe më pas policia, parandaluan ngjarjen e rëndë. Burimet zyrtare nga policia e Tiranës thanë se, 15-vjeçari me iniciale F.N., kishte zënë pritë dhe ka qëlluar në drejtim të vajzës 14 vjeçe me iniciale A.B., e cila në momentin e ngjarjes ndodhej në shoqërinë e 24-vjeçarit F. Rushani. Sipas hetimeve, mësohet se ky i fundit ka pasur një lidhje intime me vajzën vetëm 14 vjeçe, të cilën e merrte shpeshherë në shtëpinë e tij. Ndërkohë i mituri i arrestuar për tentativën e vrasjes, pretendonte një lidhje intime me vajzën 14 vjeçe, por duket se nuk ka gjetur mirëkuptim. Në këto kushte, pasi kishte marrë dijeni për lidhjen e vajzës me personin dhjetë vite më të madh në moshë se ajo, 15-vjeçari me iniciale F.N., ka marrë një pushkë gjysmë automatike dhe u ka zënë pritë atyre në lagjen ku banonin në Allias. Ai ka qëlluar ndaj 14-vjeçares dhe parterit të saj por mosha e mitur nuk e ka ndihmuar të dyshuarin të fiksonte pushkën dhe të qëllonte në shenjë. Në këtë moment kanë ndërhyrë disa banorë të zonës të cilën kanë ndaluar 15-vjeçarin dhe i kanë hequr nga duart pushkën me 16 fishekë. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe arrestoi 15-vjeçarin, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë. Pas arrestimit, në prani të një psikologu, 15-vjeçari ka pranuar autorësinë e krimit.