E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyq tek kombetarja franceze

Një tjetër bombë shpërthen te kombëtarja franceze e futbollit dhe fantazmat e Kupës së Botës të vitit 2010 në Afrikën e Jugut nuk janë zhdukur ende. Katër futbollistë do të hetohen nga Federata Franceze e Futbollit (FFF) për shkak të sjelljes së tyre gjatë Euro 2012-ës. Këtë e bëri të ditur presidenti i Federatës, Le Gre.
Futbollistët janë Samir Nasri, Hatem Ben Arfa, Zheremi Menez dhe Jan Mvila, ndërsa lajmet për probleme në gjirin e skuadrës dolën menjëherë pas humbjes 0-2 ndaj Suedisë në Grupin D, humbje që e zbriti Francën në vendin e dytë pas Anglisë dhe e dënoi me një përballje me kampionen e Europës, Spanjën në çerekfinale.
Trajneri Loren Blank e minimizoi në atë kohë ndikimin dhe përmasat e sherrit, por duket se nuk ka qenë gjë e vogël. Blank u largua menjëherë pas Europianit dhe Le Gre pohoi se në postin e trajnerit mund të caktohet Didie Deshamp.
Ndërkaq, Federata ka vendosur të ngrijë shpërblimet për skuadrën franceze lidhur me Euro 2012-ën. Presidenti pohoi se në javët e ardhshme asnjë nga lojtarët nuk do ta marrë çekun e parashikuar, ndërsa deklaroi se paratë edhe mund të jepen, por edhe jo. Ndoshta kjo ka lidhje pikërisht me hetimin ndaj Nasrisë, Ben Arfasë, Menezit dhe Mvilës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›