E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijas Boas tek Totenhemi

Nga Londra sërish në Londër. Andre Vijas Boas është rikthyer në kryeqytetin britanik ku do të marrë detyrën e tij të re si trajner i Totenhem Hotspurit, skuadrës së Premier Ligës angleze.
Vijas Boas do të zëvendësojë në këtë post ish-trajnerin Harri Redknap, njeriun që ishte edhe kandidat për stolin e Anglisë. Portugezi është vetëm 34 vjeç dhe pati një sezon tepër të vështirë dhe të mbyllur me disfatë tek Çelsi, po në Londër.
Ndonëse u përzgjodh verën e kaluar nga pronari i bluve, Roman Abramoviç, për të ndërtuar Çelsin e së ardhmes, Vijas Boas pati probleme me disa nga lojtarët kryesorë, derisa u shkarkua në mars të këtij viti.
Pasardhësi i tij, Roberto Di Mateo, fitoi Kupën e Anglisë dhe pastaj Ligën e Kampionëve pasi eleminoi Barcelonën në gjysmëfinale dhe mundi Bajernin në finalen e luajtur në Mynih.
Vijas Boas pati ecuri të shkëlqyer tek Porto, ku fitoi në sezonin 2010-2011 tre trofe të cilët ishin kampionati portugez, Liga e Europës dhe Kupa e Portugalisë.
Totenhemi ka qenë një skuadër e suksesshme sezonet e fundit duke marrë pjesë në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Europës, ndërsa këtë sezon nuk arriti të shkonte sërish në Champions pikërisht sepse Çelsi e fitoi këtë trofe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›