E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasijas kerkoi respekt per Italine ne finalen e Euro 2012

Spanja është ende në festë. Kampionët e Europës janë kthyer triumfues në shtëpi, ku në Madrid janë pritur nga Mbreti Huan Karlos dhe nga qindra-mijëra tifozë. Por, mes detajeve të shumta interesante të triumfit të “Furisë së Kuqe” ekziston edhe një detaj shumë interesant.

Iberikët konfirmohen si një skuadër “fair play”. Gjatë Euro 2012 ata nuk u përfshinë në asnjë akord me Kroacinë për të eliminuar Italinë, ndërsa në finalen e fituar pikërisht kundër të kaltërve të drejtuar nga Çezare Prandeli, protagonist absolut është bërë Iker Kasijas.

Portieri simbol, kapiteni i Spanjës që në finalen e Kievit festoi fitoren numër 100 me përfaqësuesen ka treguar se përveçse një lojtar i madh, ai është mbi të gjitha një njeri i madh. Televizioni spanjoll “Cuatro” ka zbuluar një bisedë me gjyqtarin e zonës, ku nga artikulimi kuptohet qartë ajo që thuhet.

Kasijas ka thënë fjalë të rëndësishme. Gjatë minutave shtesë të finales me Italinë, “gardiani” i është drejtuar asistentit të arbitrit për ti kërkuar të mbyllte ndeshjen. Kjo nuk lidhet me dëshirën për të festuar përpara kohe, por argumenti ka qenë i pazakontë dhe njëkohësisht kuptimplot.

“Arbitër, respekt. Respekt për kundërshtarin. Jemi 4-0”. Për koeçidencë, pas kërkesës së Kasijas për ti dhënë fund agonisë së Italisë, që për më tepër ka luajtur për 30 minutat e fundit të ndeshjes në inferioritet numerik, gjyqtari Proença mbylli lojën.

Kërkesa e legjendës së portës spanjolle erdhi pasi “xhaketat e zeza” akorduan 3 minuta shtesë në një sfidë që nuk kishte më kuptim të vazhdonte, por edhe sepse disa prej lojtarëve spanjollë nisën ta ekzagjeronin në fushë, duke tentuar lëvizje spaktakolare apo driblime të pazakonta për rolin e tyre. Një gjest prej kampioni të vërtetë ky i Iker Kasijas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›