QSUT, ekzaminimet e shtrenjta, sa kushtojnë pa sigurime
Ata që nuk kanë libreza shëndetësore, duhet të paguajnë tarifën e vendosur nga strukturat shëndetësore
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësore njofton se për vitin 2009 ka pasur një shtim të konsiderueshëm të qytetarëve të pajisur me libreza shëndetësore.
Ndërkohë që nga të ardhurat operative të Ministrisë së Financave rezulton se skema e sigurimeve shoqërore ka pasur humbje kontribuesish krahasuar me vitin 2008. Ministria e Financave, në aktin normativ të buxhetit të 2009-s, sqaroi pak kohë më parë se nga humbja e kontribuuesve në skemë, humbja është 3.7 miliardë lekë të reja. Sidoqoftë, nga viti në vit kemi rritje të studentëve, të cilët ndjekin studimet e larta, për rrjedhojë sistemi shëndetësor për ta është falas. Po ashtu, kjo kategori ka lehtësi në pajisje me librezë shëndetësore, pasi për të hapur një të tillë, nevojitet vetëm një vërtetim që ndjek studimet në njërin nga universitetet e vendit.
Fitojnë falas shërbim shëndetësor fëmijët nga 0 deri në 12 muaj, invalidët e plotë, invalidët e luftës, veteranët, të sëmurët me tuberkuloz dhe tumore. Në rast se ju nuk keni librezë shëndetësore, do të duhet të paguani 10 për qind të kostos reale. Sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, kostoja reale për një rezonancë magnetike pa kontrast kap vlerën prej 20 mijë lekësh, për një rezonancë magnetike me kontrast 35 mijë lekë. Ekzaminimi CT skaner kushton në vlerën reale 12500 lekë. Një skaner koke apo kolone me kontrast kushton 12500 lekë. Po ashtu, edhe një CT skaner trupi me kontrast kushton po 12500 lekë. Për të kryer një mamografi, kostoja reale është 3 mijë lekë. Për të kryer thyerjen e gurit në veshka, litotripsia, kushton 18 mijë lekë, ndërkohë që nëse duhet të kryesh një angiografi apo koronografi dhe nuk je i siguruar, duhet të paguash 40 mijë lekë. Fibrosteoscopi kushton 3800 lekë dhe fibrocolonoscopi kushton 3800 lekë.
Nëse jeni i siguruar, ju do të paguani vetëm 10 për qind të kostos së këtyre shërbimeve, ndërkohë që nëse nuk jeni i siguruar, do të paguani 10-fish më tepër se tarifat e të siguruarve, që do të thotë gjysmën e çmimit të kostos reale.
#