E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet kopshti, u rrezikuan 30 fëmijë

• DEVOLL - Drejtoria Arsimore e Rrethit të Devollit ka mbyllur kopshtin e fëmijëve në fshatin Cangonj.Rreziku i shembjes së ndërtesës, por edhe kushtet jashtë çdo norme të higjienës në godinën ku ai funksiononte solli dhe marrjen e masës ekstreme. Mbyllja e kopshtit të fëmijëve në Cangonj ka lënë në shtëpi mëse 30 fëmijë, shumica e të cilëve janë në prag të fillimit të klasës së parë dhe kanë shumë nevojë të parapërgatiten për të filluar mbarë arsimimin e tyre. Eshtë thënë se do të merret një shtëpi me qira për ta përdorur për kopsht për fëmijët, por deri tani nuk është bërë asgjë. Braktisja e godinës së kopshtit të fëmijëve për shkak të rrezikut të shembjes u bë nga prindërit e fëmijëve, të cilët filluan të mos i çonin më fëmijët në këtë institucion. Siç kanë bërë të ditur banorët e Cangonjit, ndërtesa është ngritur 40 vjet më parë dhe për katër dekada nuk i është bërë asnjë rikonstruksion. Për të vlerësuar realisht situatën ka shkuar në këtë godinë të amortizuar një grup punë me përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të Bilishtit, inxhinierë specialistë, inspektorë të higjienës shkollore. Pas shprehjes së mendimeve rreth situatës në të u arrit në përfundimin se mbyllja e kopshtit ishte në interes të ruajtjes së jetës dhe shëndetit të fëmijëve.                   j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›