Vodhi drogën, merret peng 18-vjeçari
• GJIROKASTER - Tre persona nga Lazarati marrin peng një 18-vjeçar për vjedhjen e një sasie hashashi.I riu nga qyteti i Libohovës ka denoncuar personat se e kanë rrëmbyer e keqtrajtuar mbrëmjen e së premtes. Burime nga Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës kanë bërë të ditur se specialistët e sektorit të Krimeve të Rënda kanë ndaluar shtetasit Jaho Skënderaj, 42 vjeç dhe Roland Dalanaj, 33 vjeç, të dy nga fshati Lazarat. Ndalimi për dy shtetasit nga policia ka ardhur pas një denoncimi të kryer në Komisariatin e Gjirokastrës nga Alban Rustemaj, i dënuar më parë për vjedhje. I riu pati deklaruar se, tri ditë më parë lazaratasit e kishin goditur me sende të forta në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar plagë. Sipas tij ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes së të premtes kur dy të arrestuarit dhe i treti në kërkim, Tahir Çelaj, e kanë marrë atë në një xhip nën trysninë e pistoletës që mbahej nga njëri prej të ndaluarve prej lagjes "18 shtatori" dhe e kanë çuar në pikën periferike të Viroit. Pasi kanë ndaluar, i riu është goditur me sende të forta në të gjithë pjesët e trupit nga personat e lartpërmendur, të cilët e akuzonin se ishte autor i grabitjes së një sasie hashashi që e kishin në pronësi rrëmbyesit. Sipas burimeve bëhej fjalë për rreth 2 kg drogë, po nuk bëhen të ditura detajet mbi vendndodhjen e saj. Pasi ka zgjatur për disa minuta keqtrajtimi, i riu nga Libohova është lënë përtokë nga personat dhe u kanos në ikje e sipër nga ata për të mos denoncuar këtë ngjarje në organet policore. Por, ai ka kërkuar ndihmën e policisë dhe pas veprimeve hetimore e procedurale si dhe ekspertimit mjeko-ligjor, është kryer dokumentacioni i kësaj vepre. Policia e Gjirokastrës gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e personave të ndaluar, nuk gjeti ndonjë send të paligjshëm, ndërkohë që personi tjetër pjesëmarrës në këtë ngjarje, Çelaj është shpallur në kërkim. Mbi të rinjtë e ndaluar rëndon vepra penale e heqjes së paligjshme të lirisë dhe materialet për këtë çështje i kanë kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës për hetime të mëtejshme. p.n