E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankthi i banorëve, izolohet në shtëpi 13-vjeçari vrasës

• Kanë kaluar 5 ditë që kur 13-vjeçari R.Hodaj, i akuzuar për vrasjen e një gruaje la dhomën e izolimit për shkak të moshës së mitur.BERAT / DILAVER XHELILIAi është kthyer në shtëpinë e tij, në një prej pallateve të lagjes "Donika Kastrioti". E ka pritur me gëzim ditën e lirimit, por këto ditë kanë qenë të njëjta me ato të burgut. I vetmi komunikim me botën e jashtme është dritarja e shtëpisë, gjithashtu e mbyllur si ajo e dhomës së spitalit të Beratit, ku mbahej i izoluar. Frika që kanë transmetuar banorët e lagjes pas lirimit të tij, po respektohet nga 13-vjeçari, i cili është përballur që në momentet e para me ftohtësinë e tyre. Sipas banorëve, ankthi është kryer me lirimin e të miturit, ndaj të cilit është provuar vrasja e një gruaje dhe plagosja e një tjetri. "Nuk kam dalë fare nga shtëpia se e di që banorët kanë frikë dhe i kuptoj. Por ata duhet të më besojnë se unë jam penduar dhe nuk do t'i bëj keq askujt", pohon ai. Si e ndjen veten tashmë që je kthyer në shtëpi? Jam gëzuar shumë pasi dola nga dhoma e izolimit, ku ndodhesha prej kohësh për krimet që kisha bërë. Por, tashmë jam dhe i shqetësuar, sepse sapo lashë izolimin dhe mora rrugën për në shtëpi të gjithë moshatarët e mi dhe banorët e lagjes po më shikonin me një urrejtje të madhe. Kjo urrejtje në fakt më takon për atë krim që kam bërë. Unë i përshëndesja banorët e lagjes sime, por pas përshëndetjes që unë bëja nuk merrja asnjë përgjigje. Në veçanti më bëri përshtypja urrejtja që pashë te moshatarët e mi. Si do t'ia kthesh besimin banorëve të Beratit se nuk do të kryesh më krime? Unë u premtoj të gjithëve dhe në veçanti banorëve të lagjes se do të bëhem një njeri i mirë dhe kurrë nuk do të mendoj për të kryer krime të çdo lloj niveli qofshin ato. Unë u kërkoj moshatarëve të mi që të më rrinë afër se vetëm në atë mënyrë do të mund të riedukohem. Më duken si ëndrra të këqija krimet që kam kryer kur fle gjumë. Disa herë ngrihem nga gjumi i trembur, më duket se të gjithë më kanë inat dhe duan të më vrasin, por unë një herë gabova dhe këtë gabim s'e përsëris më. E kuptoj se banorët e lagjes sime janë të shqetësuar për fëmijët e tyre por unë i garantoj ata se do t'i kem vëllezër dhe motra të gjithë fëmijët e lagjes dhe të qytetit tim. Dhe pse familja ime më rri pranë unë kam nevojë për shoqërinë time. Ke dalë nga shtëpia gjatë këtyre ditëve?Kam disa ditë që jam i lirë, por nuk kam dalë as në ballkon e jo më të dal jashtë e të takoj shokë. Më ka marrë malli për shokët, por asnjë nuk e di që jam penduar. Unë kam nevojë të vazhdoj shkollën që të mësoj për të ardhmen time, por deri tani vetëm familja ime më ka pranuar.PoliciaPas lirimit nga izolimi të 13-vjeçarit Hodaj, për shkak të mungesës së një shkolle riedukimi, policia e Beratit ka angazhuar inspektorin e zonës për të mbajtur nën vëzhgim veprimet e tij. Këtë fakt e bëjnë të ditur burime të policisë së qytetit, sipas të cilëve, lëvizjet e të miturit do të jenë nën mbikëqyrje për të shmangur ndonjë ngjarje të rëndë.Babai: Mësues privat për djalinBabai i 13-vjeçarit, Ylli Hodaj e ka braktisur jetën në emigrim, pas ngjarjeve të rënda të ndodhura në Berat, ku protagonist ishte vetë i biri. "Jam në ankth për të ardhmen e djalit. Ai na ka hapur një plagë që nuk do të na shërohet tërë jetën", thotë Hodaj. Çfarë keni menduar për të ardhmen e djalit tuaj, pasi u la i lirë nga drejtësia? Unë jam tejet i shqetësuar për të ardhmen e djalit tim, pasi ka kryer disa veprime tepër të ulëta dhe kriminale. Por unë i premtoj se do t'i rri shumë afër për ta edukuar dhe për t'i thënë jo, çdo veprimi negativ. Veprimet që ka kryer djali jonë na kanë krijuar një plagë, e cila nuk do të na shërohet tërë jetën. Ne si familje do t'i krijojmë kushte të mira për riedukim. Do të vazhdojë shkollën publike?Për shkollën ne si familje kemi vendosur që djali ynë të vazhdojë mësimet me një mësues privat. Ai do të vijë në shtëpi dhe do të kryejë mësimet sipas programit shkollor. Unë nuk po shkoj në Greqi, ku kam punuar si emigrant për të mbajtur familjen, për hir të djalit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›