Krujë, nis puna për ndërtimin e impiantit të çimentos
• Kanë nisur dje punimet për ndërtimin e impiantit të çimentos, pranë Bokës së Kuqe, në zonën e Krujës.Në përurimin e fillimit të punimeve ishte i pranishëm edhe kreu i qeverisë, Sali Berisha, i cili u shpreh: "Me këtë vendim dhe këtë projekt kjo kompani botërore ka dëshmuar para së gjithash besim të madh tek vendi ynë, sepse projekti është dëshmi e një besimi të plotë që ka kjo kompani për të vendosur në këtë territor 250 milionë euro". Investimi do të mundësohet nga kompania "Antea Cement", pjesë e grupit "Titan" brenda një afati 22-mujor. Kjo kompani ka hapur mjaft vende pune për banorët e kësaj zone, fakt i cili është vënë në dukje edhe nga vetë kreu i qeverisë. "Kompania punëson një numër të madh punonjësish gjatë fazës së ndërtimit dhe disa qindra mbeten të përhershëm të punësuar në këtë fabrikë të madhe të prodhimit të çimentos", tha Kryeministri. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë Berisha i siguroi drejtuesit e kompanisë se në muajt në vijim, bashkëpunimi mes administratës shtetërore dhe kompanisë "Antea Cement" do të jetë më i fuqishëm, në mënyrë që kjo kompani të mos ketë asnjë pengesë burokratike në veprimtarinë e saj.