Gjyqi; Paditet Ministria e Mbrojtjes, kërkohet informacion për hyrjen në Shqipëri të Kahled el Masri
Një shoqatë ka paditur Ministrinë e Mbrojtjes, duke kërkuar në mënyrë ligjore një informacion për shtetasin Kahled el Masri. Gjatë seancës së djeshme, i pranishëm për të ndjekur gjyqin ka qenë edhe një gazetar i agjencisë REUTERS, i cili monitoron ecurinë e këtij procesi si në Shqipëri, ashtu dhe në gjyqin që po zhvillohet paralelisht në Maqedoni. Shoqata që ka hedhur në këtë proces administrativ institucionin e mbrojtjes është Qendra për Zhvillim dhe Demokratizim të Institucioneve, e cila kërkon nga Gjykata e Tiranës informacione në lidhje me fluturimet, numrin e fluturimeve, kohën e uljes dhe të ngritjes së aeroplanit ushtarak në Kuçovë në datat 27-30 maj të vitit 2007, i cili si informacion është konsideruar i klasifikuar nga institucioni i mbrojtjes. Në kërkesën e saj drejtuar gjykatës, e cila aktualisht është duke u shqyrtuar nga ana e gjyqtarit Femi Petku, bëhej e ditur se në datën 1 gusht të vitit 2007, nga ana e kësaj qendre është dorëzuar një kërkesë për informim në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun në Ministrinë e Mbrojtjes, në bazë të ligjit 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 8503. Në këtë kërkesë i kërkohej kësaj ministrie informacion dhe dokumentacioni përkatës në lidhje me një sërë fluturimesh që janë bërë në aerodromin e Kuçovës në periudhën 27-30 maj të vitit 2004. Sipas qendrës, në sqarimin e dhënë edhe në kërkesë, asaj i rezulton se kjo datë përputhet me hyrjen në Republikën e Shqipërisë të shtetasit gjerman, Kahled el Masri. Në datën 3 tetor të dy viteve më parë mësohet se Drejtoria e Inspektimit të Përgjithshëm të Ministrisë i ka informuar drejtuesit e qendrës se informacionet që këta kërkonin ishin sekrete dhe nuk mund të jepeshin. “Duke qenë se informacioni i kërkuar nuk përbënte ndonjë informacion të klasifikuar, QZHDI iu drejtua me një kërkesë apeluese, ligji 8503, neni 12, ministrit të Mbrojtjes në atë kohë, Fatmir Mediut”, - shprehen në kërkesën e tyre drejtuar gjykatës drejtuesit e qendrës. Qendra në ankesë i përjashtonte ministrit arsyet se pse kërkesa e tyre ishte refuzuar dhe shpjegonte arsyet pse duhej pranuar dhe pse informacioni që kërkohej duhej dhënë. Në arsyetimet e drejtuar ish-ministrit të Mbrojtjes, bëhej me dije se njëri nga fluturimet e ulura dhe ngritura në aerodromin e Kuçovës, pikërisht ai i datës 28 maj të vitit 2004, pikërisht avioni i tipit “Gulfstream 3” me numër (tail code) n 982RK, nuk ka qenë një fluturim me natyrë ushtarake, por një fluturim i operuar nga një kompani civile për llogari të një shërbimi sekret civil (joushtarak) të huaj. Sipas kësaj qendre, ky fakt ishte vërtetuar nga një hetim i bërë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, i publikuar në muajin qershor të vitit 2007. “Sipas raportit të KE-së, avioni në fjalë ishte ulur në aerodromin e Kuçovës për të transportuar Kahled el Masri, një shtetas gjerman i mbajtur në mënyrë të paligjshme nga shërbimet maqedonase dhe amerikane, për më tepër se 5 muaj, privimi i lirisë së El-Masri. Është konsideruar nga KE, si dhe nga Parlamenti Evropian (raporti FAVA), një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut në veçanti e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është ratifikuar nga Republika e Shqipërisë që në miratimin e saj në 1998. Në këto rrethana, klasifikimi i informacionit në lidhje me fluturimin në fjalë do të ishte i paligjshëm sipas legjislacionit shqiptar në fuqi”, - thuhej më tej në kërkesën e drejtuar nga QZHDI. Mësohet se autoritetet shqiptare e kanë nxjerrë Kahled el Masri nga territori shqiptar në datën 29 maj të vitit 2004, një ditë pas ulje së avionit, duke e hipur në një avion me destinacion Frankfurtin dhe duke i vënë vulën e daljes në pasaportën e tij gjermane. “Megjithatë, ai nuk ka vulë hyrëse në pasaportë dhe autoritetet nuk kanë sqaruar ende se në çfarë rrethanash ka hyrë El Masri në Shqipëri”, - përcaktohej në kërkesën drejtuar gjykatës nga drejtuesi i kësaj qendre, Ilir Aliaj.