E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtari Nuni përjashton sulmin për shkak të funksionit si gjyqtar



Krimet e Rënda marrin në dorë çështjen e atentatit ndaj gjyqtarit Ardian Nuni, anëtar i Gjykatës së Lartë. Pistat për këtë ngjarje, të cilësuar mjaft të rëndë dhe goditje ndaj sistemit të drejtësisë, janë të gjithanshme. Megjithatë, njëra prej tyre, ajo e goditjes për shkak të funksionit të gjyqtarit, është përjashtuar edhe nga vetë i plagosuri Nuni. “Kam pak kohë në këtë detyrë dhe nuk mendoj të jem qëlluar për shkak të këtij funksioni”, - mësohet t’u ketë deklaruar dy net më parë hetuesit dhe prokurorit të gatshëm gjyqtari Nuni. Megjithatë, hetimi nuk e përjashton këtë pistë, ndërkohë që është duke iu mëshuar mjaft edhe pistës tjetër, asaj të mësimdhënies. Gjyqtari i plagosur vazhdonte të jepte mësim në Fakultetin e Drejtësisë, dega juridik dhe shpesh është akuzuar nga studentët për vështirësitë në marrjen e provimit me të. Madje, duke lëshuar edhe akuza për marrje ryshfeti. Duke marrë në konsideratë çdo deklaratë, çdo fakt që ka lidhje me objektin e këtij atentati të rëndë, grupi hetimor e ka shtrirë gjerë fushën e hetimit. Të njëjtat burime theksojnë se nuk përjashtohet edhe pista e ndonjë konflikti tjetër, e cila nuk ka të bëjë as me funksionin e gjyqtarit dhe as me atë të profesionit të pedagogut, por për shkaqe personale. Megjithatë, hetimi vazhdon dhe një numër i madh personash janë marrë në pyetje për këtë çështje, përfshi edhe vetë të dëmtuarin. Por, mësohet se nga vetë Nuni nuk ka dalë ndonjë element që të ndihmojë shumë në zbardhjen e identitetit të agresorit, pasi gjyqtari ka deklaruar se nuk e ka njohur për shkak të errësirës atentatorin.

Hetimi

Tentativa për vrasje ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Nuni, kaloi qysh dy net më parë në juridiksionin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sapo ka marrë njoftimin, drejt Spitalit Ushtarak është drejtuar prokurori Xhevat Hana dhe hetuesi i tij, të cilët nuk kanë humbur kohë dhe kanë komunikuar menjëherë me të dëmtuarin Ardian Nuni. Mësohet se në ato momente gjyqtari ka qenë i shokuar për atë që i ka ndodhur, ndërkohë që ka deklaruar se sulmi nuk ka ardhur për shkak të funksionit si gjyqtar, pasi e ushtron këtë detyrë prej një kohe mjaft të shkurtër. Burime zyrtare pranë kësaj prokurorie bëjnë të ditur se zyrtarisht po hetohet në disa pista. Mësohet nga burime të besueshme se grupi hetimor si pistë të mundshme të sulmit ndaj tij dyshon ndonjë konflikt të mundshëm të lindur për shkak të punës së tij si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë të Tiranës, ndërkohë që nuk përjashtohet për asnjë çast një konflikt personal i tij me persona të ndryshëm. Megjithatë, sipas burimeve nga policia, mësohet se Nuni ka debatuar fillimisht me agresorin, i cili e ka pritur para pallatit. Më pas, ky i fundit ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar në këmbë dhe krah. Arma, sipas burimeve, dyshohet të ketë qenë e një kalibri të vogël, duke ulur kështu rrezikun për jetën e të plagosurit. Personi që qëlloi ndaj 40-vjeçarit, sipas deklarimeve të vetë të dëmtuarit, ka qenë një i vetëm dhe i pamaskuar. Sipas tij, personi ka qenë me kapele në kokë dhe nuk e ka njohur për shkak të errësirës. Sipas burimeve nga policia, janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje rreth 20 persona, të cilët kanë qenë dëshmitarë dhe persona të tjerë që kanë lidhje me ngjarjen.

Policia

Policia e Tiranës është përfshirë në një hetim të hollësishëm mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi dy net më parë, atentatin ndaj gjykatësit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni. Sipas burimeve zyrtare, pas marrjes së informacionit në lidhje me sulmin e bërë ndaj tij, uniformat blu kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë rrethuar zonën dhe kanë marrë në pyetje dëshmitarët. Sipas zëdhënësit për shtyp Klodian Branko, nga veprimet e para hetimore rezulton se në vendngjarje u sekuestruan me cilësinë e provës 4 gëzhoja pistolete të kalibrit 7.62 mm, të cilat i kanë kaluar për ekspertim Laboratorit të Policisë Shkencore.

Ndërhyrja mjekësore

Mjekët e Spitalit Ushtarak operuan ditën e djeshme gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, ku i hoqën dhe dy plumbat që ai kishte marrë në shpatull dhe këmbë. Pas ndërhyrjes mjekësore të bërë, 40-vjeçari ka kaluar gjendjen e vështirë dhe tani ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nuni kishte marrë dy plumba në trup, një në këmbë dhe një në anën e majtë të shpatullës. Plumbi i marrë në këmbë, e kishte prekur vetëm shkarazi të dëmtuarin, duke mos i shkaktuar atij dëmtime serioze. Ndërkohë që, sipas mjekëve, plumbi i marrë në krah, kishte ngecur në lëkurë, duke mos i shkaktuar atij dëmtime serioze dhe mjekët ia hoqën atij, duke bërë një operacion me anestezi lokale. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë do të vazhdojë të qëndrojë ende në spital, nën kujdesin e mjekëve, duke u akomoduar në pavijonin e VIP-ave.

Ngjarja

Ardian Nuni është plagosur pak pasi parkoi makinën e tij, në një rrugicë të lagjes, para pallatit ku ai banonte në lagjen “Komuna e Parisit” në mbrëmjen e së dielës, rreth orës 23:10. Ai u drejtua për tek hyrja e pallatit ku një person, me kapele në kokë, ishte duke e pritur. Sipas dëshmitarëve, midis dy personave ka pasur një debat të shkurtër. “Personi që po debatonte, ishte i pamaskuar. Vetëm se në kokë mbante një kapele”, - kanë deklaruar dëshmitarët. Më pas ai nxori një pistoletë, të cilën e mbante me vete dhe me të qëlloi ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. 40-vjeçari mori dy plumba në trup, një në shpatull dhe një në këmbë. Agresori qëlloi katër herë ndaj Nunit, por ky i fundit arriti që t’i shmangej dy plumbave të tjerë të qëlluar nga arma e sulmuesit të tij. Kundrejt 40-vjeçarit është dhënë menjëherë ndihma e parë, duke e transportuar atë në spital. Mësohet se plumbat e marrë nuk kanë rrezikuar jetën e të plagosurit. Më pas, agresori u largua me vrap, për t’iu shmangur arrestimit, madje duke shfrytëzuar edhe faktin se njoftimi është dhënë me vonesë.

Vizitat

Personalitete të larta i janë drejtuar dje Spitalit Ushtarak, për të parë më nga afër gjendjen shëndetësore të gjyqtarit Ardian Nuni, i dëmtuar pas një atentati të dy netëve më parë. Mësohet se spitalit i është drejtuar Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, si edhe shumë deputetë të Kuvendit. Më vonë në spital ka mbërritur edhe Avokati i Popullit, Emir Dobjani, si dhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Mësohet se i plagosuri është vizituar edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila mësohet të ketë shoqëruar pak pas ngjarjes në spital edhe Kryeministrin Sali Berisha.

Pistat

Për shkak të funksionit si gjyqtar

Për shkak të profesionit si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë

Për shkak të ndonjë konflikti për çështje të tjera (personale)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›