Porti i Durrësit, dy kompani të huaja e kërkojnë me koncesion
Porti më i madh i vendit ka zgjuar interesat e dhjetëra kompanive të huaja detare për ta marrë atë me koncesion. Kjo natyrshëm ka sjellë edhe ndryshimin e ndjeshëm të nivelit të taksave portuale, me synimin e arritjes së standardeve evropiane. Taksat dhe tarifat e reja do të zbatohen që nga data 1 mars e muajit të ardhshëm.
Shkak për këtë vendim duket se ka qenë sugjerimi i kompanisë holandeze e cila nga mesi i vitit 2008 kreu studimin e masterplanit të portit detar të Durrësit. Në këtë studim ekspertët holandezë sugjerojnë “dhënien me koncesion të një pjese të mirë të portit te kompani detare të huaja”. Pas holandezëve radhën e kanë pasur gjermanët të cilët kryen studimin për taksat dhe tarifat e reja të portit, duke propozuar rritjen e tyre në mënyrë të ndjeshme. Burime nga porti thane se “po kjo kompani gjermane ka shfaqur interes për të marrë një pjesë të portit me koncesion”.
Studimi i masterplanit
Në vitin 2008, APD-ja (Autoriteti Portual Durrës) angazhoi kompaninë holandeze “Royal Haskoning”, e specializuar në linjën e studimeve dhe menaxhimeve të porteve, që të kryente studimin e masterpanit të portit detar të Durrësit. Masterplani në vetvete është dokument studimi i cili parashikon zhvillimin ekonomik të portit për një periudhë relativisht të gjatë kohe. Ekspertët holandezë në studimin e tyre sugjerojnë dhënien me koncesion të terminalit të kontejnerëve te kompani detare të huaja. Terminali i kontejnerëve përbëhet nga 2 kalata të cilat gjenden në pjesën më vitale të portit. Koha e koncesionit është parashikuar të jetë 25 vjet. Nga ana e tij APD, pas këtij studimi, duket i vendosur për dhënien me koncesion të terminalit të trageteve. Pak kohë më parë APD ftoi kompaninë detare gjermane “HPC” me qendër në Hamburg dhe e angazhoi atë që të kryente studimin e taksave dhe tarifave të cilat ky port do t’i aplikojë pas datës 1 mars 2009. Gjermanët në këtë studim propozuan taksa dhe tarifa më të larta se ato në fuqi, duke shënuar një rritje të tyre e cila varion nga 30 për qind deri 300 për qind.
Synimi i portit
Në APD mëson se “studimi i masterplanit të portit sugjeron që terminali i kontejnerëve të jepet me koncesion brenda vitit 2009”. Madje njëra prej kompanive të interesuara për ta marrë këtë pjesë të portit është vetë kompania gjermane HPC, e cila kreu studimin për taksat dhe tarifat portuale. Koncesionari që do të marrë këtë pjesë të portit, do të ketë një marzh fitimi më të lartë se ai i tanishmi, pasi taksat dhe tarifat e reja parashikojnë rritje për ankorimin e anijeve, rritje për shkarkimin dhe ngarkimin e kontejnerëve, rritje për zhvendosjen e tyre brenda territorit, rritje të taksës së kanalit si dhe rritje të tarifave të tjera për disa lloje shërbimesh. Nga kjo do të përfitojë vetë porti detar, pasi qeraja do të kërkohet për terminalin e dhënë me koncesion si dhe disa taksa të tjera të imta siç janë ajo e mjedisit, e pastrimit sigurisë dhe ndonjë tjetër e kësaj natyre. Vendimi për rritjen e taksave dhe tarifave portuale mbetet pa dyshim vendimi më i drejtë nga APD-ja, duke menduar dhe synuar arritjen e standardeve evropiane në menaxhimin sa më korrekt të sektorëve të tij fitimprurës.