Gjyqi, gruaja fshehu armët që ta arrestonin
• TIRANE - Disa shpulla ndaj bashkëshortes kanë dërguar në qeli një 54-vjeçar, të cilit do t'i duhet të qëndrojë në burg minimalisht disa javë derisa të sqarohet edhe akuza e armëmbajtjes pa leje.Kjo ishte masa e sigurisë që vendosi dje për të gjyqtarja e gatshme në kryeqytet, pasi u njoh me akuzat ndaj tij. Sipas prokurorit që kishte drejtuar hetimet paraprake arrestimi i 54-vjeçarit F. Dedja nga Ndroqi është bërë katër ditë më parë, nga efektivët e Komisariatit numër 6 të policisë së kryeqytetit në bashkëpunim me kolegët e tyre të seksionit të Luftës Kundër Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve. Sipas prokurorit, Dedja është denoncuar nga bashkëshortja e tij, Sh. Dedja, 53 vjeçe, e cila deklaron se është rrahur dhe kanosur për jetën nga bashkëshorti i saj, pas një zënke familjare. Pas kësaj gjatë kontrollit në një prej mullarëve të Dedjes është gjetur një automatik "Kallashnikov", dy arka me fishekë, dy thika-bajonetë, si dhe 6 krehra me fishekë, ndërsa mbi të arrestuarin u ngritën akuzat: "kanosje", "dëmtime të tjera me dashje" dhe "armëmbajtje pa leje". Vetë i pandehuri para gjyqtares së gatshme pranoi se kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe se ajo në mënyrë për ta larguar nga banesa kishte sajuar fshehjen e armëve në mullar. Madje, për këtë ai pohoi se ajo ka vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë, me të cilët ky kishte konflikte. Ndërsa avokatja e tij pohoi se, në bazë të ekspertimit paraprak të armëve dhe municioneve të gjetura në banesën e të pandehurit, gjurmët e gishtave të lëna në to nuk i përkasin klientit të saj por personave të tjerë, ç’ka vërteton pretendimin e tij se nuk kishte dijeni për armët. fa.ma.