E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkruhet kontrata për rrugën Qafë Botë-Sarandë

• SARANDE: Rruga Sajadhë-Konispol-Sarandë do të përfundojë brenda një harku kohor prej 2.5 vjetësh.Në praninë e shumë banorëve nga Konispoli dhe fshatrat përreth, ministri shqiptar i Ekonomisë, Genc Ruli dhe zëvendësministri i Jashtëm grek, Petros Dhukas, nënshkruan  kontratën e financimit të këtij aksi rrugor. Në takim ishin të pranishëm ministri shqiptar i Ekonomisë me cilësinë e Koordinatorit Kombëtar të Programit, Genc Ruli, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, në cilësinë e Koordinatorit të Planit Helenik për Zhvillimin e Ballkanit, Petros Dhukas. Merrnin pjesë gjithashtu edhe ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, ambasadori shqiptar në Athinë, Vili Minarolli, konsulli shqiptar në Janinë, Eshref Shehu, kryetari i bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, ndërsa nga pala greke ndodheshin ministri grek i Ekonomisë, Antonis Bezas, deputeti i Thesprotisë, Vasilis Jojakas. "Qëllimi ynë është të lidhim ekonomikisht Thesportinë dhe Epirin në përgjithësi me Shqipërinë e Jugut", u shpreh ministri grek i Ekonomisë, Andonis Bezas. Ndërsa ministri shqiptar i Ekonomisë, Genc Ruli, në fjalën e tij vlerësoi duke e cilësuar si një portë të re të zhvillimit ekonomik. "Nënshkrimi i marrëveshjes që bëhet sot shënon një produkt, një kod të ri në atë bashkëpunim të gjatë ekonomik mes Shqipërisë dhe Greqisë. Padyshim segmenti rrugor Sajadhë-Konispol-Sarandë është me të vërtetë një portë e re, një portë më shumë në marrëdhëniet ekonomike, në marrëdhëniet njerëzore së pari dhe në ato politike mes dy vendeve tona", tha Ruli. Ai shtoi se janë rreth 40 kilometra rrugë që do të nxisin përparimin ekonomik dhe politik. "Janë 50 milionë euro të destinuara për këtë zhvillim, nga të cilat 30 milionë euro i do rruga Sajadhë-Konispol-Sarandë. Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi kanë prioritete në politikat tona të jashtme. Asgjë nuk mund ta pengojë dhe ngadalësojë këtë bashkëpunim", tha  zëvendësministri i Jashtëm grek, në cilësinë e Koordinatorit të Planit Helenik për Zhvillimin e Ballkanit, Petros Dhukas.        sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›