E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hithra

• Edmond TupjaViktor Ygoi shkruan diku:  "E dua hithrën se askush nuk e do". Ha, ha, sa qejf! Tamam kundër rrymës. Edhe unë e dua hithrën, por jo për të njëjtën arsye si Viktor Ygoi. Sepse, në ditët e sotme, jo pak njerëz e duan: Së pari me të mund të përgatiten gatesa të shijshme; së dyti, ajo është pa diskutim një bimë mjekësore; së treti... së katërti... etj., etj. Pra, jo pak njerëz e duan, por gjithmonë për interes.Unë, personalisht, e dua pa asnjë interes. E dua sepse mbin atje ku i do qejfi dhe jo atje ku do të donin njerëzit. Eshtë e lirë. Por e dua gjithashtu sepse përmban acid formik. Këtë acid, me formulë HCOOH, e gjejmë në gjendje natyrale edhe në organizmin e milingonave, simbol të njeriut punëtor, edhe në disa lëngje biologjike si, për shembull, gjaku, faktor i pamohueshëm i jetës. Por, po t'i referohemi "Fjalorit të gjuhës shqipe" te fjala "hithër", do të gjejmë këtë kuptim të figurshëm të saj: "njeri i prapë dhe ngasës". Me gjithë ngarkesën emocionale negative që ka ky togfjalësh, më duket mjaft tërheqës sepse, në fund të fundit, për të ecur përpara një shoqëri njerëzore nuk ka nevojë vetëm për njerëz të mbarë dhe të mefshtë.Gjithsesi, le t'i lemë mënjanë këto konsiderata deri diku dytësore dhe ta shohim hithrën thjesht si gjethe. Shumëkush e di se ana e saj e sipërme të djeg sepse, kur e prek, qimet e veta të holla nxjerrin pikërisht acidin formik. Për këtë arsye, ndoshta, Adami/Ademi dhe Eva/Havaja nuk e zgjodhën atë për të mbuluar pjesët më intime të trupit, por gjethen e fikut (sipas shqiptarëve) ose atë të rrushit (sipas francezëve). Por pse duhej ta pësonte ana e saj e poshtme e cila, ndryshe nga e sipërmja, nuk të djeg fare, madje të krijon, kur e prek, një ndjesi pothuajse të këndshme? Ndoshta çifti biblik i lartpërmendur, kur bëri zgjedhjen e tij, nuk e dinte këtë gjë.Po t'i kthehemi tani politikës shqiptare, nuk do të ishte e vështirë dhe as e gabuar t'i krahasonim dy anët e gjethes së hithrës me binomin apo, më saktë, me çiftin pozitë/opozitë. Ashtu siç nuk mund të ndahet ana e sipërme e hithrës nga ajo e poshtme dhe anasjelltas, po ashtu nuk mund të ndahet pozita nga opozita dhe anasjelltas. Dhe, meqenëse tek ne ka alternancë në pushtet (domethënë opozita kthehet në pozitë dhe, detyrimisht, pozita në opozitë, të paktën që nga 1992 e këtej, duke ilustruar kështu tezën e dialektikës sipas së cilës diçka mund të kthehet në të kundërtën e vet), i bie që vazhdimisht pozita të jetë sipër opozitës, pra, të jetë e pasur me acid formik dhe të përcëllojë cilindo guxon ta prekë. Por me që pozita kthehet herë pas here në opozitë, ajo gjendet, pikërisht si opozitë kësaj radhe, poshtë ish-opozitës së djeshme ose pozitës së sotme, dhe pushon së qeni djegëse. Kështu që u takon të dy krahëve të spektrit politik shqiptar të jenë me radhë djegës: siç thotë populli, një herë ta hipa, një herë ma hipe! Me sa duket kjo na qenka politika, jo vetëm te ne, por në gjithë vendet e botës së qytetëruar: hyp e zdryp, siç shprehen tiranasit e vjetër.Sidoqoftë, Perëndia ose Natyra, Domosdoshmëria ose Rastësia, quajini si të doni, i kanë rregulluar mirë punët e kësaj bote duke iu përmbajtur, në bëmat e tyre, parimit të ekuilibrit apo të kompensimit: çdo e keqe e ka një të mirë dhe, anasjelltas, çdo e mirë e ka një të keqe! Përfytyroni sikur ky parim të ishte shkelur në rastin e gjethes së hithrës! Domethënë sikur të dy anët e saj të ishin djegëse. Kush do të guxonte t'i afrohej atëherë hithrës së politikës? Fatmirësisht, të gjithë dinë që vetëm njëra anë është djegëse, por, megjithatë, manovrojnë për t'i marrë me të mirë të dyja anët. A nuk e ilustron këtë të vërtetë fakti i mirënjohur që, sa herë zhvillohen fushata zgjedhjesh parlamentare apo edhe vendore, biznesmenë të ndryshëm financojnë bujarisht të dy krahët e spektrit politik shqiptar në mënyrë që cilido qoftë ai që do të vijë në pushtet, të mos jetë shumë djegës me atë që ka financuar fushatën e tij? Në mënyrë, gjithashtu, që edhe ai krah i cili do të gjendet poshtë krahut tjetër, ndonëse jo djegës, dhe që shpreson të bëhet djegës pas katër vitesh, pas zgjedhjeve të ardhshme, të tregohet më pak djegës me financuesin e tij të para katër viteve?Nuk po e tjerr më gjatë këtë arsyetim, sepse acidi formik i hithrës politike rrezikon të kthehet në një lëndë të parë më të shtrenjtë se nafta, më të vlefshme se floriri dhe më strategjike se uraniumi, përdorimi i tepruar dhe pa vend i së cilës mund të sjellë pasoja të paparashikueshme jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe për të tjerat rreth e rrotull e më gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›