“Qendër e re për trajnimin e mjekëve”
• Qendra për Formimin e Vazhduar të Mjekëve do të përfundojë brenda këtij viti.Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, me ngritjen e kësaj strukture do të evidentohen nevojat për trajnimin e kategorive të ndryshme të personelit shëndetësor, do të identifikohen propozimet dhe prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë për edukimin e vazhduar, si dhe do të planifikohen aktivitetet dhe programet e edukimit të vazhduar në nivel kombëtar. "Fillimisht, kjo qendër do ta ushtrojë aktivitetin në Tiranë, ndërsa në faza të mëvonshme qendra të tilla do të ngrihen në të gjitha qarqet", sqaron Ministria e Shëndetësisë. Sipas këtij dikasteri, vitin e kaluar numrin më të madh të kualifikimeve e zunë ato të mjekeve specialistë, kryesisht për imazherinë dhe rifreskim të njohurive mjekësore. Ndërsa për sektorin e infermieristikës po përgatiten politika të reja për të përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme standardet dhe cilësinë e kujdesjeve infermierore, të cilat çojnë në përmirësimin e shërbimit shëndetësor në të gjitha shërbimet spitalore dhe shërbimet e kujdesit parësor në qendër e në rrethe. Ministria bën me dije se, roli i burimeve njerëzore (për të cilët harxhohet rreth 65 për qind e buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë) dhe menaxhimi i mirë i tyre po merr një dimension të ri dhe një vëmendje të veçantë, për mënyrën se si ato do të rekrutohen, trajnohen dhe si avancojnë profesionalisht gjatë karrierës së tyre.